Skuadra braziliane kualifikohet pas 20 vitesh në finalen e Kupës Libertadores

0
Skuadra braziliane kualifikohet pas 20 vitesh në finalen e Kupës Libertadores

Nuk ka surpriza në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Libertadores, me Palmeirasin që pas 20 vitesh do të rikthehet të luajë në finalen e madhe të këtij kompeticioni, më 30 janar në “Maracana”.

Brazilianët kishin fituar 0-3 në Buenos Aires përballë River Plate dhe ndeshja e mbrëmshme dukej si një shëtitje, por nuk rezultoi aspak e tillë, pasi argjentinasit nuk ishin dorëzuar dhe provuan deri në fund të anulojnë humbjen e parë.

“Millionarios” shënuan dy herë në pjesën e parë, fillimisht me Rojas në minutën e 29 dhe më pas me Borre në të 44-ën, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 0-2 dhe besimin e madh se do të mund të përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë.

Edhe në pjesën e dytë argjentinasit dominuan dhe provuan të gjejnë golin e tretë, teksa në minutën e 53-të dërguan topin në rrjetë, por arbitri uruguaian anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje, pasi kishte rishikuar disa herë aksionin në VAR.

Në minutën e 73-të arbitri Ostojich u bë sërish protagonist, pasi ndëshkoi Rojas me kartonin e dytë të verdhë dhe la River Plate me 10 futbollistë deri në fund, ndërsa as 12 minutat shtesë nuk u mjaftuan argjentinasve të gjejnë golin e kualifikimit.

Mbrëmjen e sotme do të përcaktohet edhe finalistja tjetër, që do të dalë nga çifti Santos – Boca Juniors.

Ndeshja e parë mes dy skuadrave në “Bombonera” përfundoi në barazim pa gola, ndaj sonte do të jetë gjithçka e hapur për kualifikim në finalen e madhe të 30 janarit në “Maracana”.

Artikulli i mëparshëmNjihuni me aplikacionin që është kthyer në hit dhe po sfidon WhatsApp
Artikulli i radhësAlegri në krye të listës së kandidatëve për stolin e Chelseat