Axhenda e Dubait/ A e gënjyen Ramën vartësit për darkën tek Nusreti?

0

Fortuna që shkaktoi darka tek Nusreti në hapësirën Vip të restorantit të famshëm në Dubai e gjeti kryeministrin Rama mes zonave të përmbytura të Shkodrës, diku në Obot apo në Dajç. Përpjekja e Ramës, për t’u qarë hallin që nuk ua zgjidhi dot në 7 vjet banorëve të përmbytur në veriu, u zhbë papritur. Në vend të solidaritetit që tentoi të shfaqë Rama, në rrjetet sociale u ngrit një dallgë mallkimesh dhe sharjesh për vanitetin e qeveritarëve.

I gjendur mes akuzave për një darkë ku nuk kishte ngrënë asgjë për vete, Rama përsëriti atë që i kishin thënë, se të gjitha ishin paguar nga investitorët e grupit Emaar, kompania gjigande e lindjes së mesme që kishte ftuar delegacionin shqiptar dhe që synon të investojë 2 miliard dollarë për shndërrimin e portit të Durrësit në një port turistik.

Pikëpyetjet që u ngritën ishin të shumta. Nëse darka ishte organizuar nga grupi Emaar, përse tryezës i ishte bashkuar edhe biznesmeni Samir Mane që nuk ishte pjesë e delegacionit zyrtar? Nëse kjo ishte një darkë pune, përse ndodhej aty edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kur investimi ishte në Durrës? Përse nuk ishte asnjë përfaqësues nga kompania e huaj?

Një prej anëtarëve të delegacionit, që nuk pranoi të identifikohej, rrëfeu me detaje axhendën e delegacionit shqiptar dhe lëvizjet e ministrave. Rezulton se darka tek Nusreti nuk kishte qenë pjesë e axhendës zyrtare të delegacionit, siç thotë kryeministri dhe devijimi i ministrave ka rënë në sy mes grupit që mbeti pa shkuar tek Nusreti.

Ditën e parë, në datën 8 Janar, anëtari i delegacionit rrëfeu se janë zhvilluar diskutime mes përfaqësueve të kompanisë dhe qeverisë shqiptare dhe dreka është shtruar nga pala pritëse në ambientet e hotelit “Adress Down Town”, i cili është në pronësi të kompanisë Emaar. Ndryshe nga ajo që u tha në media, kompania Emaar shërbeu pije alkoolike për të ftuarit.

Edhe darka, në të njëjtën ditë, pra në 8 Janar, është shtruar nga pala pritëse në të njëjtin hotel, ku i pranishëm ishte edhe kreu i kompanisë “Emaar” Mohamed Alabar. Në të njëjtën darkë morën pjesë dhe ministrat dhe i gjithë delegacioni shqiptar, bashkë me përfaqësuesit e biznesit dhe medias.

Ditën e dytë, në datën 9 Janar, takimet ishin të përqëndruara gjatë pjesës së parë të ditës, pasi kreu i grupit “Emaar” kishte planifikuar të udhëtonte jashtë. Dreka është shtruar në një tjetër hotel pjesë e kompanisë Emaar “Adress Boulevard”. Pikërisht në këtë darkë, në ditën e dytë mungonin ministrat Balluku dhe Ahmetaj, bashkë me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku.

Të tre kanë munguar sërish edhe gjatë darkës që është shtruar, kësaj radhe në hotelin ku po qëndronte delegacioni, tek “Adress Down Town”. Mungesa e tyre ra në sy nga anëtarët e tjerë të delegacionit, që kanë pyetur njëri tjetrin se ku ishin larguar ministrat, por pa arritur të merrnin vesh më shumë, pasi ikja e tyre nuk ishte konfiduar me askënd. Bisnesmeni Samir Mane që duket në videon e publikuar në restorantin Nusret, nuk ka qenë pjesë e delegacionit zyrtar që udhëtoi në Dubai dhe nuk ka marrë pjesë në takimet me përfaqësues të Emaar Group.

Në videon e publikuar nga instagrami i Nusret Dubai, shihet qartë data 9 janar 2021, që përkon me ditën kur një pjesë e delegacionit shqiptar ka munguar në drekën dhe darkën e shtruar nga kompania Emaar. Po ashtu në videon e publikuar nuk shihet asnjë përfaqësues i palës pritëse, ndërsa përfaqësues të delegacionit në Dubai treguan se disa prej karrigeve të vendosura për anëtarët e grupit që munguan mbetën bosh.

Pjesë e delegacionit qeveritar ishin:

-Belinda Balluku- ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
– Arben Ahmetaj- ministër i Shtetit për Rindërtimin
– Etien Xhafaj- zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
– Erlis Hereni- këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
– Pirro Vëngu- drejtor i Autoritetit Portual Durrës
– Viola Haxhiademi- sekretare e përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
– Olti Muzaka – sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave
– Arbër Mazniku- nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
– Endri Fuga- këshilltar i kryeministrit

Po ashtu pjesë e vizitorëve ishin 4 grupe gazetarësh nga RTSH, ATSH, Tv Klan dhe Top Channel, bashkë me disa biznesmenë përfaqësues të studios Atelier 4.//lapsi.al//

Artikulli i mëparshëmMarrëveshja për vaksinën shpallet sekret nga Edi Rama
Artikulli i radhësNoti i fundit në Liqenin Trump