Arben Qalliu, një nëpunës civil, u gjobit në masën 1,500 lekë ose 12 euro pasi u kap duke bërë propagandë elektorale për Partinë Socialiste me certifikatat e pronësisë, një nga shkeljet më të rënda të Kartës së Kopenhagës.
BIRN
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi hetoi, gjeti fajtor dhe dënoi me gjobë në masën 1,500 lekë drejtorin e Agjencisë së Kadastrës Lushnjë Arben Qalliu pasi u vërtetua që ky i fundit kishte nxjerrë certifikata pronësie nga zyra e tij për t’ia dhënë deputetit socialist Bujar Çela me qëllim që ky i fundit t’i shpërndante në një miting te pronarët përkatës.
Denoncuar nga LSI si shkelje e Kodit Zgjedhor, episodi u hetua gjatë ditëve të fundit ndërsa të enjten Celibashi e shpalli shkeljen si një nga shkeljet më të ulëta të Kodit Zgjedhor dhe dënoi Qalliun me gjobë në masën qesharake prej 1,500 lekësh.
Ndarja e shtetit nga partia është një nga kriteret kryesore që përcaktojnë nëse zgjedhjet në një vend janë të lira dhe demokratike apo jo. Dokumenti i Kopenhagës, deklarata e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, OSBE, miratuar në qershor 1990 nga vendet anëtare, është referenca që përcakton këtë detyrim. Në pikën 5.4 të deklaratës, e cila është pika që shkelet më së shumti në zgjedhjet shqiptare, sanksionohet: duhet të ketë një ndarje të qartë mes shtetit dhe partive politike; në veçanti, partitë politike nuk do të duhet të shkrihen me shtetin.
Qalliu, i cili është teorikisht zyrtar shteti, në rastin për të cilin u gjobit, e vuri pozicionin e tij si nëpunës civil në shërbim të partisë. Qalliu gjithsesi nuk është rasti i parë dhe as i fundit. Një numër i konsiderueshëm deputetësh socialistë të sotëm vijnë saktësisht nga rradhët e drejtorëve të hipotekave apo të kadastrave dhe drejtorët e shtetit janë njëkohësisht funksionarë socialistë.
Vetë Edi Rama është shfaqur disa herë gjatë viteve të fundit duke shpërndarë çertifikata pronësie, një veprim ky që demonstron njëkohësisht mungesën e shtetit ligjor dhe shkeljen e deklaratës së Kopenhagës.