Një burrë, i moshës 56 vjeç u arrestua nga policia e Tiranës pasi ndoqi këmba-këmbës për t’i vrarë me sëpatë dy komshinj, sepse lopët e tyre kishin hyrë në livadhin e tij. Kur nuk i arriti dot fqinjët, A. T sipas burimeve të gazetës Si qëlloi me sëpatë pesë lopë duke i gjymtuar dhe i plagosur ato, çka solli vënien para përgjegjësisë dhe nën akuzë jo vetëm për kanosje, shkatërrim prone dhe armëmbajtje, por edhe për veprën e keqtrajtimit të kafshëve.
Ngjarja ndodhi në Priskë tregoi për gazetën Si zyrtari i policisë që bëri inventarin e lopëve të gjymtuara me sëpatë dhe që sipas asaj që u shkrua në procesverbal, kafshët kishin plagë në kofshë e kurriz të tilla që konsiderohen të pashërueshme.
I arrestuari A. T. rezulton si shtetas i dënuar në vitin 2011, për akuzën e vrasjes të mbetur në tentativë. Së fundmi, ai doli nga kontrolli për faj të kafshëve. Policia u vu në dijeni të ngjarjes nga A. M që kërkoi ndihmë.
“Më njoftoi punëtori që po ndiqej me sëpatë këmba-këmbës. Më tha po më ndjek A. me sëpatë dhe ndërkohë po gjuan dhe lopët. U nisa ta sqaroja, por sapo më pa dhe unë po e pyesja çfarë dëmi i kisha bërë ai më ndoqi dhe mua”.
Shtetasi A. M tregon se komshiu ndërkohë e kërcënoi se do t’i vriste të gjithë. “Me sa kuptova, lopët e mia ishin futur në tokën e tij dhe kjo gjë e ka revoltuar shumë dhe ndaj ka zbrazur nervat te lopët duke i qëlluar me sëpatë.
Policia thotë për gazetën Si se nga këqyrja rezulton që lopët kanë plagë të thella rreth 15 centimetra dhe janë të gjymtuara.
“Dëmi mund të jetë rreth 4 milionë lekë”, shton më tej kallëzuesi në polici.
Burimet e gazetës Si shtojnë se kanë kërkuar si dëshmitar edhe punëtorin e shtetasit A. M, që punon si bari.
“Dola për të futur lopët në stallë dhe kur u ktheva pashë disa lopë që kishin hyrë në livadh. Hyra për t’i nxjerrë, por u ndoqa me sëpatë nga A.T dhe vrapova sa munda për të shpëtuar. Njoftova pronarin që të vinte në fermë”, dëshmon 47-vjeçari.
Bisedën mes pronarit dhe të arrestuarit e ka riprodhuar edhe bariu, i cili shton “pashë pronarin që i tha, çfarë po bën hajde flasim, por ai u nxeh dhe e ndoqi dhe atë me sëpatë”.
Policia shton se pasi siguroi një avokat kryesisht ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga i arrestuari, i cili ka refuzuar me frazën “nuk kam asnjë shpjegim për të dhënë, nuk njoh asnjërin nga personat që më kanë kallëzuar”.