Ora policore do të hiqet në të gjitha komunat e Kosovës. Do të zgjatet orari i punës për lokalet e gastronomisë. Po ashtu, do të lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve.
Qeveria e Kosovës në detyrë e drejtuar nga Avdullah Hoti, gjatë ditës së nesërme pritet t’i miratojë masat e reja anti-Covid.
Me masat e reja, do të zgjatet orari i punës për gastronominë, nga ora 20:00 sa është tani, deri në orën 21:00 ose 22:00, kjo do të bëhet për secilin kategorizim të komunave.
Me masat e reja, lehtësim do të ketë edhe për veprimtaritë e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve, deri në 30 për qind të përfaqësues së kapacitetit të hapësirave.
Po ashtu edhe ora policore do të hiqet në të gjitha komunat e Kosovës.
Ndërkohë, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se pas rënies së numrit të rasteve pozitive dhe kalimit të shumicës së komunave nga zona e kuqe në zonën e verdhë apo të gjelbër, ka ardhur momenti për lehtësim të masave.
“Pasi shumica e komunave të cilat kanë qenë të kategorizuara në zonën e kuqe kanë kaluar në zona të verdha apo të gjelbërta dhe duke marrë parasysh që këto masa kanë dhënë rezultate pozitive, pasi numri i rasteve pozitive është në rënie e sipër, po ashtu pasi masat nuk janë rishqyrtuar për një kohë të caktuar, mendojmë se ka ardhur momenti që të ftohet takimi ndërinstitucional për rishqyrtim të masave”, ka deklaruar Ibrahimi.
Edhe nënkryetari i Gastronomeve të Kosovës, Veton Zuka ka treguar se orari do të zgjatet deri në orën 22:30 ose 23:00.
“Nesër do të dalin me lirim të masave dhe ne i kemi kërkesat e tona që i kemi dërguar përmes shoqatës. Si duket i kanë marrë parasysh kërkesat tona”, ka thënë Zuka.
Ai ka treguar se kërkesa e tyre për orarin do të jetë minimumi nga 22:30 eventualisht 23:00.
Dy ditë më parë edhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se do të ndodhin disa lehtësime të masave.
“Kosova, krahasuar me shtetet tjera, vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të Covid 19. Statistikat nga ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga Covid 19”.
Zemaj ka bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave antiCOVID-19 për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
“Në takimin me Bordin Këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi. Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët. Qytetarët me disiplinën e tyre si dhe të gjithë akterët relevantë që përballen me Covid 19, kanë dëshmuar se meritojnë falënderim dhe respekt. U bëjë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave anti covid për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar të enjten se nga sëmundja COVID-19, kanë vdekur edhe katër persona.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Suharekë 2 raste, dhe me nga një rast Drenasi dhe Lipjani.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se ka regjistruar edhe 279 raste të reja me koronavirus, bazuar në 1.775 mostra të testuara.
Nga sëmundja janë shëruar edhe 441 pacientë, ndërsa raste aktive janë 5.401.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars 2020 dhe deri më tani, janë regjistruar 54.839 raste me COVID-19, prej të cilëve 48.046 janë shëruar ndërsa 1.392 kanë vdekur.
Për parandalim të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para e deri më tani, ka marrë një sërë masash.
Masat që janë tani në fuqi, kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e lokaleve të gastronomisë, varësisht zonës që gjenden qytetet, sipas numrit të të infektuarve gjatë një jave.
Momentalisht, Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së virusit./monitor.al