E ardhmja e mbretërisë britanike pas mbretëreshës Elizabetë

0

Nga Denisa Pasholli

Nga një studente, në të dashurën më të përfolur në botë dhe sot në një princeshë moderne, Katte Middleton ka bërë padyshim një udhëtim përrallor. Në më pak se një dekadë, vajza e thjeshtë, me një të shkuar normale, fitoi princin e kaltër dhe sot është mbretëresha e ardhshme e Anglisë. Kate Middleton u bë dukeshë e Kembrixhit kur u martua me princin Uilliam më 29 prill të 2011. Por a do të quhet ajo mbretëreshë kur të martohet me mbretin? Sapo princi Uilliam të marrë fronin dhe të bëhet zyrtarisht mbret i Anglisë, Kate do të jetë bashkëshortja e mbretit.

Ndryshe nga sa mendohet, Kate nuk do të jetë mbretëresha e Anglisë, siç është sot mbretëresha Elizabetë. Kjo sepse Kate do të jetë monarke nga martesa dhe jo nga familja. Por për popullin, ajo do të njihet gjerësisht si Mbretëresha Catherine. Vajza e Kate dhe Uilliam, princesha Charlotte, ka potencialin për të mbajtur titullin Mbretëreshë e Anglisë, kjo falë ndryshimit të ligjit, që më herët i bënte djemtë pasardhësit e vetëm të mbretërisë, edhe në qoftë se ishin më të vegjël në moshë nga vajzat, por legjislacioni ndryshoi, para ardhjes në jetë të Princit Xhorxh në 2013, duke i dhënë fund njëherë e mirë kësaj tradite. Kjo do të thotë se princesha Charlotte është e katërta në radhë për në fron, pas princit Charles, Uilliam dhe Xhorxh.

Në uebsajtin zyrtar të Pallatit Mbretëror saktësohet se vetëm nëse mbreti vendos ndryshe, bashkëshortja e mbretit kurorëzohet bashkë me mbretin, por në një ceremoni më të thjeshtë. Paraardhësja e mbretëreshës Elizabetë, që mbante titullin bashkëshortja e mbretit ishte nëna e mbretëreshës. Lady Elizabeth Bowes-Lyon u martua me princin Alber, Duka i York në vitin 1923 dhe ajo mori titullin në këtë mënyrë. Kur Duka u bë papritur mbret në vitin 1936, pas abdikimit të të vëllait të tij, princit Eduard, i cili la fronin për t’u martuar me amerikanen Uallis Simpson, ajo u bë zyrtarisht bashkëshortja e mbretit, por të gjithë i drejtoheshin si mbretëresha.

Kur mbretëresha Elizabetë u kurorëzua në vitin 1952 pas vdekjes së të atit, mbretit Xhorxhi 6, bashkëshorti i saj, Duka i Edinburgut, mori titullin bashkëshort i mbretëreshës. Kur pallati mbretëror njoftoi martesën e Princit Charles me Kamila Parker Bowles në 2005, njoftoi se Dukesha e Cornwalldo të mbante titullin bashkëshortja e Princit, edhe kur Charles të ngjitet në fron. Kjo në respekt të princeshës së ndjerë Diana, gruas së parë të Charlsit, që humbi jetën pas një aksidenti në Paris në 1997. Ndaj Kamila nuk do të njihet kurrë as si princeshë dhe as si mbretëreshë e madje as gruaja e mbretit.

Por duket se ajo që do të pasojë mbretëreshën Elizabetë në krye të fronit, do të duhet të ketë patjetër edhe mbështetjen dhe pëlqimin e saj dhe kjo për çdo anëtar të familjes mbretërore është shumë e rëndësishme. Sipas ekspertëve, gjuha e trupit e monarkes 94-vjeçare sugjeron se mes të preferuarave të saj është padyshim Kate. Mbretëresha zakonisht shmang kontaktin me sy por mes saj dhe Kate kontakti edhe me duar, nuk mungon asnjëherë.

Ndryshe nga tani, edhe pse shumë e angazhuar me punët e takimet si dukeshë, Kate do të ketë edhe më shumë punë kur të kurorëzohet mbretëreshë. Sot ajo drejton 21 organizata bamirësie dhe është anëtare apo presidente nderi në më shumë se 750 të tjera, por pas kurorëzimit, do të duhet sipas protokollit, të shoqërojë bashkëshortin, mbretin Uilliam në çdo takim zyrtar, brenda dhe jashtë vendit. Si mbretëreshë, dukesha Kate edhe do të paguhet. Nëse sot si dukeshë paga e saj nga Kensington Palace për të mbuluar shpenzimet është 2.3 milionë paund në vit, si mbretëreshë pagesa shkon shumë më shumë, në gati 47 milionë paund në vit.

Kate u njoh me Uilliam në 2001, kur të dy ishin studentë në universitetin “Saint Andrews”. U diplomuan bashkë 4 vite më vonë. Pas njohjes, dashurisë, mediave dhe kopertinave të revistave, paparacëve që i ndiqnin kudo dhe një filmi dedikuar çiftit mbretëror, Uilliam dhe Kate u martuan në prill të 2011. Më shumë se 1 milion britanikë dolën në rrugën e Londrës ndërsa një audiencë mbarë botërore prej më shumë se 2 miliardë njerëzish ndoqën live paradën dhe ceremoninë në Kishën e Westminster Abbey.

Për të vulosur martesën, mbretëresha e emëroi Uilliamin Dukë të Kembrixh dhe Kate u bë dukeshë. Pak muaj më vonë, Buckingham Palace njoftoi se Uill dhe Kate janë në pritje të fëmijës së tyre të parë. Barku gjithnjë në rritje i Kate pushtoi mediat në mbarë botën. Më 22 korrik, sytë u kthyen me ankth drejt spitalit “Saint Mary” në qendër të Londrës, ku erdhi në jetë princi Xhorxh Alexandër Louis, i treti në radhë për fronin mbretëror. Më pas, Kate solli në jetë edhe 2 fëmijë, princeshën Charlotte në maj të 2015 dhe princin Louis në prill të 2018.

Por a është ende sot monarkia e rëndësishme për britanikët? Sipas sondazheve, 2/3 e qytetarëve britanikë apo 67% e popullsisë e duan monarkinë dhe mbretëreshën, ndërsa 21% thonë se është koha që vendi të ecë përpara, si pjesa tjetër e botës e të zgjedhë një kryetar shteti.

Artikulli i mëparshëmBie aplikacioni i mesazheve Signal, shkak rritja e numrit të përdoruesve pasi braktisën WhatsApp
Artikulli i radhësFOTOT: “Puna nga shtëpia” e princit të Arabisë Saudite