Në këto çaste kemi një vorbull ciklonike në territorin e Greqisë e cila po depërton gradualisht në drejtim të Turqisë. Ky ciklon po shkakton reshje të dendura bore në Greqi dhe priten reshje edhe më fuqishme shiu e bore në Turqi ditëve të ardhshme. Cikloni është larg nga territoret tona megjithatë po vazhdon të na sjellë rrebeshe afatshkurtra bore sot sidomos në disa vise të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër kemi ajrin e ftohtë arktik nga sektori i Siberisë i cili po vazhdon të depërtojë në drejtim të rajonit tonë duke ulur temperaturat.
Sonte gjatë natës një fronti ri nga Atlantiku do të depërtojë në Alpe dhe veriun e Italisë. Si pasojë do të kemi krijimin e një cikloni të ri në veriun e Italisë i cili gjatë ditës së nesërme nga përtej brigjeve të Italisë do të udhëtojë në drejtim të jugut të Italisë gjegjësisht Sicilisë. Nga Siçilia pastaj do të udhëtojë në drejtim të Greqisë dhe Turqisë duke kushtëzuar reshje të reja të dendura bore sidomos në Turqi. Edhe ky ciklon do të jetë larg nga territoret tona por do të jetë në gjendje të na sjell reshje të reja bore veçanërisht në Kosovë gjatë pasditës së vonshme dhe mbrëmjen e së dielës. Temperaturat do të vazhdojnë të pësojnë ulje sepse këto dy ciklone do të vazhdojnë të tërheqin ajrit e ftohtë siberik nga lindja dhe verilindja në drejtim të rajonit tonë.
Nga e mesi i javës së ardhshme fusha ajrore anticiklonike me qendër në Afrikën Veriore do të marrin situatën nën kontroll për disa ditë në rajonin tonë duke kushtëzuar stabilizim të motit dhe ngritje graduale të temperaturave. Pas netëve dhe mëngjeseve shumë të ftohta që na presin këto ditë acari do të fillojë të zbutet pra, nga mesi i javës së ardhshme për shkak të këtij anticikloni me qendër në territorin e Libisë në Afrikën Veriore. Ky anticiklon nga Algjeria do të depërtojë në Tunizi, e pastaj në Libi dhe do të zgjerohet në të Italisë dhe Gadishullit Ballkanik.
Pasi që ky anticiklon do të shkaktojë ngritje të temperaturave bashkë me fushat ajrore të reja ciklonike që tentojnë të depërtojnë nga Atlantiku, pra priten ngritje të ndjeshme të përkohshme të temperaturave gjatë fundjavës së ardhshme. Sidoqoftë afër fundit të Janarit kemi shumë gjasa për “goditje” të reja arktike. Rrethi polar tani është i ndarë në dy pjesë: njëra ka depërtuar në Amerikën e Veriut dhe Kanada, ndërsa dhe tjetra në Euro – Azi dhe kjo na premton vazhdim të motit mjaft dinamik me gjasa të mëdha edhe për goditje të reja dimërore gjatë javëve në vazhdim. “Çarjen” e rrethin polar e ka shkaktuar “ngrohja e menjëhershme e stratosferës” fenomen ky mjaft i rëndësishëm për ecurinë e dimrit./Meteoballkan