Banka e Shqipërisë është optimiste për rimëkëmbjen e ekonomisë në vitin 2021

0

Banka e Shqipërisë ka pritshmëri, përgjithësisht optimiste, për një përmirësim të ekonomisë shqiptare në vitin 2021.

Me normalizimin e situatës epidemiologjike në vend dhe në partnerët tanë tregtarë, Banka e Shqipërisë,në një prononcim për “Monitor” vlerëson se ekonomia jonë i ka premisat e nevojshme ekonomike dhe financiare për rimëkëmbjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, rimëkëmbja pritet të jetë një proces gradual. Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022. Rreziqet potenciale për rritjen ekonomike vazhdojnë të jenë të larta, ndaj Banka e Shqipërisë sugjeron se politikat ekonomike duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshme, në drejtim të ruajtjes së një balance të drejtë midis nevojës për të ofruar stimul makroekonomik dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë 2020-s? Në cilët tregues, efekti i krizës ishte më i prekshëm?

Viti 2020 ishte një vit i vështirë dhe sfidues për ekonominë shqiptare. Ai do të mbahet mend si viti i pandemisë globale COVID-19, i mbylljes së detyruar të ekonomive dhe të kufijve dhe i distancimit social. Këta faktorë e çuan ekonominë shqiptare në recesion dhe testuan qëndrueshmërinë e fondamenteve të saj.

Megjithatë, ky vit do të mbahet mend – po ashtu – për fleksibilitetin dhe rezistencën që tregoi ekonomia shqiptare, si dhe për përgjigjen kolektive e të suksesshme të politikave ekonomike publike. Masat dhe kufizimet e ndërmarra me përhapjen e pandemisë, ndonëse ishin të domosdoshme për ngadalësimin e transmetimit të saj, u shoqëruan me një kosto të konsiderueshme ekonomike.

Në planin makro, Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr, papunësia u rrit, pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përkeqësua dhe deficiti fiskal e borxhi publik njohën nivele të larta. Në planin mikro, familjet dhe kompanitë shqiptare u ballafaquan me rënie të punësimit, të të ardhurave dhe vështirësi financiare. Impakti më i madh i pandemisë u materializua në tremujorin e dytë kur ekonomia shënoi tkurrjen më të fortë në dy dekadat e fundit. Më tej, relaksimi i kufizimeve i hapi rrugë rikuperimit gradual të aktivitetit ekonomik në muajt e verës.

Në gjuhën e shifrave, ekonomia shqiptare ra me 6.6% në gjysmën e parë të vitit, duke pasqyruar kontraktimin e njëkohshëm të thuajse të gjithë përbërësve të kërkesës agregate dhe të të gjithë sektorëve të ekonomisë. Kriza goditi, në mënyrë të veçantë, flukset tregtare, ku rënie shënoi si eksporti i mallrave dhe ai i shërbimeve. Për ilustrim, me gjithë lehtësimin e masave kufizuese, eksportet e turizmit ranë me rreth 459 milionë euro në terma vjetorë në tremujorin e tretë. Recesioni ekonomik solli dhe rënie të të ardhurave fiskale dhe rritje të borxhit publik.

Ky i fundit, arriti në 79.7% të PBB-së në fund të tremujorit të tretë 2020, nga 66.2% në fund të vitit 2019. Përmasat dhe kompleksiteti i krizës kërkuan dhe u adresuan nga një përgjigje koherente dhe gjithëpërfshirëse e autoriteteve publike. Politika fiskale mori rolin kryesor për t’i ofruar një mbështetje të drejtpërdrejtë kërkesës agregate, duke amortizuar rënien e të ardhurave të sektorit privat, duke e mbështetur atë me likuiditet nëpërmjet shtyrjes së pagesave të taksave e takimeve dhe ofrimit të programeve të garancisë sovrane për kreditë.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë rriti stimulin monetar dhe ndërmori masa të tjera rregullatore, duke synuar ruajtjen e një fluksi të pandërprerë të kreditimit dhe të shërbimeve financiare, si dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar. Në përgjigje të këtyre masave, Shqipëria arriti të ruajë një ambient ekonomik të qëndrueshëm dhe stabiliteti monetar e financiar i vendit nuk u prekën.

Për ilustrim, inflacioni dhe kursi i këmbimit shënuan luhatje të pakta, tregjet financiare vazhduan normalisht aktivitetin e tyre, ndërsa kostot e financimit mbetën të ulëta. Kredia për sektorin privat ka vazhduar të rritet dhe familjet shqiptare kanë vazhduar t’i besojnë sektorit bankar për ruajtjen e kursimeve të tyre. Së fundi, sektori bankar vijon të karakterizohet nga tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe përfitueshmërie.

Statistikat e tremujorit të tretë dëshmojnë rikuperim të aktivitetit ekonomik. Ritmi i kontraktimit ekonomik zbriti nga -10.2% në tremujorin e dytë në -3.5% në tremujorin e tretë. Këto tendenca, si dhe lajmet pozitive që vijnë nga zbulimi dhe shpërndarja e një vaksine efektive, na bëjnë ta shohim vitin 2021 me një optimizëm të kujdesshëm.

Sa u ndikua aktiviteti i sektorit bankar dhe financiar nga kriza e lidhur me pandeminë?

Përpara pandemisë, veprimtaria e sektorit bankar kishte ofruar disa vite me zhvillime shumë pozitive. Ndër to përmendim përmirësimin e treguesve të cilësisë së aktiveve (të kredisë), rigjallërimin e kreditimit me kontributin kryesor nga monedha vendase, përmirësimin e rezultatit financiar dhe të kapitalit, si dhe ndryshime në strukturën e tij, që lidhet me konsolidimin e veprimtarisë. Pandemia e gjeti sektorin bankar në një gjendje të mirë financiare. Megjithatë, natyra dhe madhësia e goditjes mbi ekonominë shqiptare, ishte e jashtëzakonshme.

Nga ana e proceseve që mbështesin veprimtarinë bankare, pandemia ka diktuar disa përparësi për sektorin bankar dhe Bankën e Shqipërisë. Fillimisht ishte e rëndësishme të siguronim që bankat dhe institucioni ynë, të ishin në gjendje të vijonin pa probleme veprimtaritë kritike. Për bankat, kjo nënkuptonte aftësinë e tyre për të ruajtur shërbimet cilësore për qytetarët, në kushtet e mbrojtjes së përshtatshme për personelin. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ndau me to udhëzimet e nevojshme.

Paralelisht, u konsiderua e nevojshme që sektori bankar t’u vinte në ndihmë ekonomisë dhe subjekteve të prekura negativisht nga pandemia. Për këtë qëllim u miratua Moratoriumi i Kredive dhe njëherazi masat e tjera lehtësuese në drejtim të likuiditetit dhe ristrukturimit të kredive. Aktualisht, vijojmë me masat dhe me vlerësimin e rregullt të gjendjes financiare të bankave lidhur me aftësinë e tyre për të përballuar nivele potencialisht më të larta të rrezikut.

Gjendja e mirë para pandemisë dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së saj, kanë bërë të mundur që sektori bankar të ruajë tregues të mirë financiarë gjatë këtij viti. Ndonëse me ritme më të ulëta, kreditimi ka vijuar rritjen si për bizneset, ashtu edhe për familjet. Depozitat në banka janë rritur dhe gjendja e likuiditetit është e mirë. Po ashtu, dhe treguesit e rezultatit financiar dhe të kapitalit paraqiten në nivele të mira.

Pasojat

Goditja që pësuam ishte jo vetëm e rëndë, por dhe komplekse. Rënia e kërkesës dhe e ofertës solli reduktim të fortë e të menjëhershëm të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit, gjeneroi probleme likuiditeti dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet, si dhe rriti pasigurinë për agjentët ekonomikë.

Cilat ishin, në gjykimin tuaj, veprimet më të efektshme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të zbutur efektet e krizës në sektorin financiar dhe në ekonominë e vendit?

Goditja që pësuam ishte jo vetëm e rëndë, por dhe komplekse. Rënia e kërkesës dhe e ofertës solli reduktim të fortë e të menjëhershëm të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit, gjeneroi probleme likuiditeti dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet, si dhe rriti pasigurinë për agjentët ekonomikë. Në këto rrethana, përgjigjja e autoriteteve ishte proporcionale në kohë, intensitet dhe kompleksitet, me vetë goditjen.

Në vija të përgjithshme, objektivi i ndërhyrjes së kombinuar fiskale, monetare dhe makroprudenciale, synoi të lehtësonte koston financiare të krizës mbi bizneset dhe familjet shqiptare, për t’ju dhënë atyre mundësi reagimi e përshtatjeje me rrethanat e reja të krijuara; si dhe të garantonte stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, për të shmangur zgjatjen në kohë të recesionit ekonomik dhe për të krijuar premisat e rimëkëmbjes në një të ardhme sa më të afërt.

Banka e Shqipërisë i ka prezantuar në kohë dhe me transparencë masat e marra në funksion të përballimit të goditjes. Këto masa ishin të shumëllojshme, duke pasur karakter monetar, makroprudencial, operacional, por dhe të intensifikimit të komunikimit publik. Kalimi i një kohe të mjaftueshme na mundëson të bëjmë një bilanc paraprak të suksesit dhe efektivitetit të tyre.

Së pari, në funksion të lehtësimit të ndikimit të goditjes në ekonomi, Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar dhe ka ndërmarrë një lehtësim të targetuar të rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar. Rritja e stimulit monetar u realizua nëpërmjet reduktimit në nivelin 0.5% të normës bazë të interesit dhe nëpërmjet adoptimit të një strategjie operacionale, e cila mundëson injektim të pakufizuar të likuiditetit në tregun ndërbankar. Ajo ndihmoi në kontrollin e kostove të financimit dhe të shërbimit të borxhit në ekonomi.

Nivelet e ulëta të normave të interesit dhe likuiditeti i bollshëm në treg u shoqëruan me një rritje mesatare prej 6.7% të portofolit të kredisë në vitin 2020, duke i shërbyer vijimit të investimeve dhe nevojave në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues.

Paralelisht me të, lehtësimi i përkohshëm i rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar ndihmoi shtyrjen për një periudhë 6-mujore të pagesave të kësteve të kredisë për bizneset e familjet në vështirësi, si dhe inkurajoi një përqasje pro-aktive të bankave ndaj ristrukturimit të kredive për klientët në vështirësi më afatgjata. Në total, mbi 40% e portofolit të kredisë (afro 2 miliardë euro) përfitoi nga shtyrja e përkohshme e pagesës së kësteve dhe mbi 25,000 biznese e familje shqiptare përfituan ristrukturim të kredive ekzistuese.

Në total, stimuli monetar dhe makroprudencial ka ofruar më shumë frymëmarrje për operatorët e ekonomisë dhe, së bashku me stimulin fiskal, ka ndihmuar në amortizimin e rënies ekonomike, në zbutjen e vështirësive financiare për bizneset dhe në mbështetjen e punësimit.

Së dyti, në funksion të forcimit të stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, Banka e Shqipërisë mori masa për garantimin e furnizimit të ekonomisë me mjete pagese, pezulloi shpërndarjen e dividendit për sektorin bankar në vitin 2020, si dhe vazhdoi mbikëqyrjen e monitorimin e kujdesshëm të performancës së sektorit bankar.

Në përgjigje të këtyre masave, si dhe në pasqyrim të ruajtjes së stabilitetit ekonomik, inflacioni dhe kursi i këmbimit kanë qenë të qëndrueshëm, tregu financiar ka funksionuar normalisht dhe treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten në parametra normalë.

Së fundi, intensifikimi i komunikimit me partnerët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe me publikun e gjerë, ndihmuan në reduktimin e pasigurisë dhe rritjen e besimit në të ardhmen. Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se – me normalizimin e situatës epidemiologjike në vend dhe në partnerët tanë tregtarë – ne i kemi premisat e nevojshme ekonomike dhe financiare për një rimëkëmbje të shpejtë të aktivitetit ekonomik.

Parashikimi

Në gjykimin tonë, viti 2021 do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes për ekonominë shqiptare. Duke supozuar se situata epidemiologjike do të vijë drejt normalizimit, Banka e Shqipërisë pret zgjerim të konsumit dhe investimeve, rritje të vëllimit të aktivitetit ekonomik, rritje të punësimit dhe përmirësim të gjendjes financiare të bizneseve dhe familjeve.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2021? Besoni se ekonomia shqiptare do të arrijë një ringritje të shpejtë?

Në gjykimin tonë, viti 2021 do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes për ekonominë shqiptare. Duke supozuar se situata epidemiologjike do të vijë drejt normalizimit, Banka e Shqipërisë pret zgjerim të konsumit dhe investimeve, rritje të vëllimit të aktivitetit ekonomik, rritje të punësimit dhe përmirësim të gjendjes financiare të bizneseve dhe familjeve. Ky parashikim bazohet në disa faktorë.

Së pari, ai ndërtohet në supozimin se goditja që pësuam në vitin 2020 – e cila nuk erdhi nga brenda ekonomisë apo sistemit financiar – do të zhduket në vitin 2021. Me përfundimin e pritur të pandemisë, ne presim një normalizim gradual të lëvizjes së mallrave, njerëzve dhe shërbimeve.

Së dyti, ai mbështetet në faktin se ekonomia shqiptare u shfaq rezistente ndaj goditjes. Megjithëse pandemia solli humbje të ndjeshme dhe / ose rritje të borxhit për një pjesë të madhe të operatorëve ekonomikë, stabiliteti i përgjithshëm ekonomik, monetar dhe financiar i vendit nuk u prekën. Kjo nënkupton se, në tërësi, strukturat prodhuese dhe shërbyese të vendit kanë mbetur operacionale dhe se gjendja e tyre financiare nuk paraqet pengesa serioze për ringritjen e aktivitetit ekonomik.

Së treti, ne vlerësojmë se kombinimi i politikës fiskale, monetare dhe makroprudenciale, vijon të mbetet inkurajues për rritjen e kërkesës agregate.

Së fundi, vlen të theksohet se – në një perspektivë afatmesme dhe afatgjatë – ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet në një trend pozitiv zhvillimi. Ky trend pasqyron sofistikimin në rritje të sektorit privat, perspektivat inkurajuese të integrimit europian, mbështetjen në rritje me kredi bankare, si dhe zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Rritja ekonomike do të ndihmojë përmirësimin e të gjithë treguesve ekonomikë. Ajo pritet të shoqërohet me rritje punësimi, rritje të ardhurash për sektorin privat dhe publik, si dhe përmirësim të pozicionit të tyre debitor. Megjithatë, vlen të theksohet se rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë një proces gradual.

Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022. Ecuria e ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm është e rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm. Për këtë arsye, politikat ekonomike duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshme, në drejtim të ruajtjes së një balance të drejtë midis nevojës për të ofruar stimul makroekonomik dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.

Rikthimi në nivelet e parakrizës

Rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë një proces gradual. Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022. Ecuria e ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm është e rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm.

Në vitin 2020, efektet e krizës në bilancet e sektorit bankar ishin relativisht të kufizuara. Prisni një përcjellje të këtyre efekteve në vitin 2021, në drejtim të përkeqësimit të cilësisë së kredisë, apo në indikatorë të tjerë të rëndësishëm?

Aktualisht, gjendja paraqitet e qëndrueshme, rritja e kredive me probleme mbetet e ulët, raporti i kredive me probleme rezultoi 8.2% në fund të muajit nëntor 2020. Ecuria relativisht e qëndrueshme e këtij raporti në vitin 2020, pasqyron si përmirësimet strukturore që ka pësuar procesi i kredidhënies gjatë viteve të fundit, ashtu edhe efektin e masave lehtësuese rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Në kushtet kur pandemia vijon të ndikojë zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend, pritjet tona janë që vlerat e kredive me probleme të jenë më të larta në vitin 2021, pavarësisht se masat lehtësuese rregullatore të Bankës së Shqipërisë dhe veprimet e bankave për ristrukturimet e kredive në zbatim të tyre, japin mundësinë që kjo rritje të jetë e kufizuar. Për t’i paraprirë rritjes me ritme të larta të kredive me probleme, ne u kemi kërkuar bankave të jenë proaktive në evidentimin dhe provigjionimin e humbjeve nga këto kredi. Rritja e kredive me probleme që është evidentuar deri tani, mendojmë se reflekton pjesërisht këtë proces.

Nga këndvështrimi i transparencës dhe planifikimit për të ardhmen, ky është një proces i dobishëm. Rritja eventuale e kredive me probleme, shoqërohet me rritje të shpenzimeve për rrezikun e kredisë (provigjioneve) dhe njëherazi ndikon negativisht rezultatin financiar dhe potencialisht edhe nivelet e kapitalit. Ndaj, me rëndësi është vlerësimi i aftësisë së bankave për t’u përballur me nivelet më të larta të kredive me probleme gjatë vitit të ardhshëm.

Kjo nënkupton vlerësimin e përshtatshmërisë së niveleve të fitimit të periudhës dhe të kapitalit për të përthithur humbjet eventuale dhe për të vijuar kreditimin me ritme të përshtatshme. Bankave iu është kërkuar të kryejnë rregullisht vlerësime lidhur me kapacitetet përthithëse. Nga komunikimi me bankat dhe përmes ushtrimeve të provës së rezistencës që ne kryejmë, rezulton se treguesit e kapitalit dhe aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto humbje potenciale paraqitet në nivele mjaft të mira.

Cilat mund të jenë masat shtesë që do të aplikojë Banka e Shqipërisë, në rast se gjendja e ekonomisë shqiptare gjatë 2021 do të përkeqësohet më tej?

Banka e Shqipërisë do të mbetet e vëmendshme ndaj ecurisë së procesit të rimëkëmbjes dhe sfidave që paraqet zhvillimi i qëndrueshëm i vendit. Në gjykimin tonë, mbështetja e ekonomisë me stimuj makroekonomikë duhet të vazhdojë derisa të kemi sigurinë e një rikuperimi të qëndrueshëm të saj. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që politikat ekonomike të jenë të sinkronizuara për të rritur efektivitetin e tyre, por, njëkohësisht të kujdesshme dhe të orientuara nga e ardhmja, për të minimizuar akumulimin e rreziqeve.

Në këtë kontekst, roli i politikës monetare do të vijojë të jetë sigurimi i kushteve monetare stimuluese për familjet dhe bizneset shqiptare. Deri më tani, stimuli monetar i injektuar nëpërmjet kalibrimit dhe ndërthurjes së kujdesshme të instrumenteve konvencionalë, vlerësohet të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e inflacionit drejt objektivit. Ky skenar merr në konsideratë përfundimin e shpejtë të pandemisë dhe përcjelljen e qetë e të plotë të stimulit monetar në ekonomi.

Megjithatë, në rast të materializimit të rreziqeve të kahut të poshtëm, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Ky stimul do të koordinohet në maksimumin e mundshëm dhe me masa të tjera lehtësuese të politikës fiskale dhe asaj makroprudenciale. Ai do të realizohet në mbështetje të përmbushjes së objektivave të Bankës së Shqipërisë. Masat konkrete që do të merren, do të jenë në funksion të natyrës së goditjeve me të cilat mund të përballemi, si dhe në përputhje me kuadrin ligjor që rregullon punën e Bankës së Shqipërisë dhe me shkallën e zhvillimit të sistemit tonë financiar.

Në çdo rast, stimujt e ofruar nga Banka e Shqipërisë do të ndërmerren pa dëmtuar as stabilitetin financiar dhe as shëndetin e sektorit bankar në vend. Masat rregullatore të marra deri më tani kanë mbështetur sektorin bankar në përmbushjen e rolit të tij, si ndërmjetës financiar dhe mbartës i rrezikut. Ruajtja e stabilitetit financiar është një parakusht i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Stimujt fiskalë, monetarë dhe financiarë, janë instrumente thelbësore për nxitjen e kërkesës agregate, por, në të njëjtën kohë vëmendje duhet të ketë dhe vazhdimi i zbatimit të reformave strukturore. Implementimi i tyre do të lehtësojnë rishpërndarjen e burimeve të rritjes te sektorët më të qëndrueshëm dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese të ekonomisë, duke minimizuar dëmin e përhershëm të pandemisë në ekonomi dhe duke mbështetur rritjen afatgjatë.

Çfarë risish apo ndryshimesh të rëndësishme janë planifikuar për vitin 2021 në drejtim të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të sektorit bankar?

Pavarësisht se viti 2021 pritet të shënojë një kthesë përcaktuese pozitive në drejtim të fashitjes së pandemisë dhe rigjallërimit të ekonomisë, mjedisi ekonomik dhe financiar do të mbetet sfidues. Puna jonë si autoritet monetar dhe mbikëqyrës do të mbështetet tek një monitorim i afërt dhe i vazhdueshëm i zhvillimeve ekonomike dhe financiare, për të adresuar në kohë problematikën që mund të shfaqet. Edhe në vitin 2021, do të vijojë puna për përafrimin e mëtejshëm të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator për bankat me kërkesat e Basel-III, duke u dhënë bankave kohën e nevojshme për implementimin e tyre.

Një fokus të veçantë në vitin 2021 do të ketë edhe plotësimi i kërkesave të Ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave” me aktet nënligjore në zbatim të tij. Përveç kësaj, Banka e Shqipërisë do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e kredive me probleme dhe, në rast rritjeje të konsiderueshme të tyre, do të marrë masat e nevojshme me qëllim adresimin e problemit. Masa të mundshme do të jenë shkurtimi i afatit të fshirjes së kredive të humbura apo zgjatja e afatit të rregullores së ristrukturimit jashtëgjyqësor të kredive të këqija në më shumë se një bankë./MONITOR

Artikulli i mëparshëmShefja e FMN: Qeveria duhet të ketë plane rezervë, mirëpresim kontrollin e KLSH-së për rindërtimin dhe pandeminë
Artikulli i radhësBujqësia, rritja më 2021 prej investimeve në magazinim dhe kontratave të eksportit, problem blegtoria