Kryeqyteti amerikan është krahasuar me atë të Irakut, pasi Garda Kombëtare dhe Shërbimi Sekret kanë caktuar zonën e gjelbër dhe atë të kuqe, ku nuk lejohet futja e civilëve të paautorizuar.
Më shumë se 20 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare kanë zbarkuar tashmë në Uashginton, pak ditë para ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri Joe Biden.
Për shkak të frikës për protesta të tjera të dhunshme, si ajo e datës 6 janar, Shërbimi Sekret ka publikuar edhe hartën e zonës së gjelbër, term i përdorur më parë edhe në zonën më të fortifikuar të Bagdadit gjatë Luftës së Irakut.
Shumica e qendrës së qytetit është e ndaluar për publikun, ndërsa gardhi metalik me tela me gjemba ka rrethuar Shtëpinë e Bardhë, monumentin e George Washington dhe godinën e Kapitolit, si më të rrezikuarat nga ndonjë mësymje e mundshme.
Rrethimi do të qëndrojë të paktën deri në 21 janar, një ditë pasi Biden të marrë detyrën, për të siguruar që skenat e 6 janarit të mos përsëriten.