Që nga shpërthimi i pandemisë rreth 94.5 milionë raste janë raportuar me coronavirus në të gjithë botën, bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, deri më tani kanë ndërruar jetë më shumë se 2 milionë njerëz, por ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë i viktimave ka gjasa të jetë më i lartë.
Për tetë muaj bota regjistroi 1 milion viktima nga COVID-19, por milioni i dytë erdhi në më pak se katër muaj.
Pandemia ka arritur në çdo cep të globit dhe vetëm disa vende të vogla të izoluara nuk kanë raportuar asnjë vdekje.
SHBA-ja ka regjistruar deri tani numrin më lartë të fataliteteve në botë, rreth 395 mijë viktima gjithsej. Ndërkohë numri i rasteve në vend vlerësohet të jetë rreth 23.7 milionë.
Në Brazil, më shumë se 209 mijë persona kanë vdekur, ndërsa 8.4 milionë raste u raportuan që nga shpërthimi i pandemisë.
India në anën tjetër ka 152 mijë viktima nga virusi vdekjeprurës dhe 10.5 milionë të prekur.