Nga Andi Bushati
Ka momente të rralla në politikë, kur kapriçot e fatit janë aq shumë pro dikujt sa i bëjnë edhe kundërshtarët të punojnë pro tij. Kjo fabul po ndodh me Albin Kurtin dhe marshimin e tij drejt një fitoreje të pa parë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë së fundi vendimin për të penguar kandidimin e liderit të Vetëvendosjes si deputet, duke u reshtuar përkrah të gjithë atyre institucioneve të një bote në rrënim që duan të pengonë të pandalshmen.
Natyrisht, juristët, njohësit e kushtetutës dhe politologët janë të ndarë rreth aspektit teknik të ligjshmërisë së këtij akti.
Ka nga ata që mendojnë se Gjykata kushtetuese, së bashku me vendimin për të shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme, i kapërceu kufijtë e saj me interpretimin pothuajse “ad hominem”, që bëri për deputetët e dënuar. Ka të tjerë që reken të argumentojnë se sado i drejtë apo jo të jetë ky verdikt, ai nuk e prek Albin Kurtin, pasi ai nuk është dënuar me burgim, por me kusht.
Por, pavarësisht nga kjo përplasje, që në një terren si Kosova i ngjan debatit për sksin e ëngjëjve, perceptimi publik për atë që po ndodh është krejt tjetër.
Ai përkthehet me gjuhën e thjeshtë, se një kastë e vogël po përpiqet me ç’do mjet të frenojë një ndryshim të madh.
Pak kush mund të jetë në gjendje të kuptojë se ç’vlerë kanë dënimet penale ndaj Kurtit, kur protestat e tij me gaz lotësjellës shërbyen për ndalimin e një republike të re Serbska?
Pak kush mund ti quajë normale prangat dhe ditët e tij të burgut, në një Kosovë të pavarur, kur gjithë kapsit e shtetit janë të pagjykuar për vjedhjet e bëra?
Në logjikën e këtij linçimi përkthehet edhe rrëzimi me grusht shteti parlamentar që iu bë qeverisë së zgjedhur nga vota popullore e 6 tetorit.
Në këtë vazhdë shihen edhe koncesionet qesharake që ishin të gatshëm të bënin sahanlëpirësit e Grenellit, vetëm për të rrëzuar nga pushteti Vetëvendosjen.
E domosdo, në këtë optikë do të interpretohen edhe përpjekjet për ta ndaluar Albinin të jetë deputet i parlamenti të ri, apo qoftë edhe më pas, orvatjet për ta ndaluar të rikthehet si kryeministër.
Pra, të gjitha këto përpëlitje, ligjore ose jo, të arsyetuara, apo aspak të tilla, po i bëjnë liderit të Vetvendosjes dhuratën më të mirë që dikush mund të presë në zgjedhje: atë të viktimizimit.
Albin Kurti po hyn në fushatë me aureolën e atij që duan me çdo kusht ta pengojnë të vihet në shërbim të njerëzve, me petkun e atij që nuk po e lënë të ndëshkojë grabitësit dhe oligarkët, me kostumin e të kryqëzuarit prej një pakice që mendon vetëm për interesat e saj.
Votuesit e tij, për të cilët historia e afërt ka dëshmuar se shumohen pas çdo padrejtësie, me gjasë do ta shohin edhe këtë të fundit, si një penalizim ndaj vullnetit të tyre, si një shtrembrim që i bëhet lojës demokratike.
Pra, edhe përfaqësuesit e politikës së vjetër edhe institucionet që ngritën ata, paradoksalisht, duket sikur po punojnë për fitoren e pashmangshme të Vetëvendosjes. Në këtë kuptim, çdo përkrahës i saj mund të thoshte sot me ironi: “Nuk ka fat më të madh sesa të kesh armiqtë që ka Albini”.
Por, ajo që ofron shijen frutit të dhuruar për njërën palë, mund ta ketë bishtin mbrapa për Kosovën. Sepse duke e viktimizuar deri në këtë masë Albin Kurtin, duke u vetë diskredituar kaq shumë në këtë proces, kundërshtarët e tij do ta kenë shumë të vështirë në të ardhmen.
Me municionin që kanë shpenzuar, me plumbat qorrë që kanë shtirë në ajër, ata nuk do jenë në gjendje ta ndalojnë edhe nëse Albin Kurti rezulton më i rrezikshëm se ai që kanë parë në ëndrrat e tyre. Ata nuk do të kenë më, as kredibilitetin dhe as mjetet, për të shpëtuar qoftë veten, qoftë Kosovën, nga ai që e vizatuan si diktatorin e ardhshëm, të cilit i duhej prerë me çdo kusht rruga e pushtetit./lapsi.al