Presidenti Trump fjalim lamtumire: Largohem si Presidenti i parë që nuk nisi luftë të re

0

Në një fjalim lamtumire, presidenti amerikan Donald Trump, ka përshëndetur administratën e re të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Ndonëse nuk preferoi që të përmendte emrin e kundërshtarit të tij, Trump theksoi se lutet për suksesin e kësaj administrate.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë. Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme.”, u shpreh Trump në video-mesazhin e tij.

Presidenti Trump u përpoq të nxirrte në pah aspektet e presidencës së tij me të cilat ai ishte krenar.

“Ne bëmë atë për të cilën erdhëm këtu, dhe shumë më tepër. Unë zgjodha betejat e vështira, çështjet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse ju më zgjodhët për ta bërë këtë. Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë,” tha ai. “Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.”, tha ai.
Ndër të tjera presidenti Trump përmendi protestën e dhunshme në Kapitol, të cilën ai nuk e dënoi menjëherë pasi ndodhi më 6 janar.

“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne si amerikanë e vlerësojmë. Nuk mund ta tolerojmë kurrë (dhunën). Unë largohem nga ky vend madhështor me një zemër besnike, të gëzueshme, një frymë optimiste dhe një besim të fortë se për vendin tonë dhe për fëmijët tanë, do të vijnë ditë më të mira.”, pohoi Trump. Kujtojmë se Trump nuk i ka pranuar zgjedhjet e 3 nëntorit, ndërsa hodhi akuza për vjedhje vote. Biden arriti që të fitonte me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të Trump. Presidenti në largim nuk do të jetë sot në ceremoninë e inaugurimit të Biden, vendim që e ka deklaruar më herët.

Artikulli i mëparshëmMinistria e Mbrojtjes reagon pasi ushtaraku shqiptar humbi jetën në Afganistan
Artikulli i radhësAlbin Kurti përjashtohet nga gara e zgjedhjeve të 14 shkurtit