Nga Elona Caslli
E lëçitura e perëndimit, arroganca nuk është argument.
E lëçitura e perëndimit, duhet të jeni më e përmbajtur në reagime publike. Ju nuk jeni thjesht vajza e lëçitur e perëndimit që rrjedh nga një derë e madhe në Shqipëri, por njëkohësisht edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, ose sikundër do të shprehej kryeministri: “ gjysma më e mirë e Erion Veliajt”.
E kuptoj faktin që studimet e thelluara në perëndim kanë ndikuar rrënjësisht në lartësimin e mendjes suaj dhe kjo duket qartazi nga zgjedhjet dhe zgjidhjet që keni bërë në jetë, por në rastin konkret, jeni e shtrënguar të jepni një përgjigje lidhur me një pronë që është në emrin tuaj.
Një apartament 171 metra katrorë nuk është shaka në realitetin shqiptar. Nuk është shaka për faktin e thjeshtë se qindra çifte shqiptare kur martohen dhe vendosin të krijojnë familje detyrohen të marrin kredi në banka shqiptare me interesa shumë të larta, të cilën duhet ta paguajnë për vite me radhë dhe nëse qëllon që dikush nga familja hiqet nga puna, pyetja e parë që lind në mjedisin shqiptar është: – Me çfarë do paguhet kësti i kredisë?.Pra, kësti i kredisë për shtëpinë është kryefjala në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare.
Sigurisht që një e lëçitur si ju në perëndim dhe me prejardhje nga një derë e madhe, i ka shfaqje të huaja situata të tilla, por kjo nuk e zhbën faktin se keni detyrimin të pasqyroni të ardhurat dhe burimin përkatës që ju kanë mundësuar blerjen e këtij apartamenti. Në botën e qytetëruar kështu funksionon. Ju që keni jetuar dhe jeni shkolluar në perëndim, duhet të jeni e para që me sjelljen dhe qëndrimin tuaj duhet ta mishëroni këtë të fundit.
Ndërkohë ju i përgjigjeni pikëpyetjeve mbi apartamentin me një arrogancë, që bie ndesh me kulturën evropiane. Pasi përmes një statusi në gjuhën angleze ju thoni pak a shumë se- Jeta është e shkurtër dhe internetit duhet t’i japim aq kohë, sa gjasës që mund të debatojmë me një të panjohur (në rrugë).
Praktikisht, mundësia objektive për të debatuar me një të panjohur jashtë internetit është zero dhe si rrjedhim koha që duhet të shpenzojmë në internet sipas jush duhet të jetë e tillë.
Këshilla juaj për ta shumëzuar me zero kohën e internetit është krejt me vlerë, por mund t’ia jepni veç një njeriu në këtë qytet.
Ky njeri është bashkëshorti juaj, i cili edhe vënien e një poçi majë një shtylle e shfaq si arritje të qeverisë dhe si nder të madh që ua bën taksapaguesve shqiptarë.
Këshillën tuaj mbi internetin “gjysma juaj më e mire” e ndjek veçse për procesin e betonizimit. Atë nuk e shfaq kurrë në videot e tij.
Lidhur me çështjen e apartamentit, këshilla juaj përkthehet në arrogancë, pasi është detyrim ijuaji të kthjelloni burimin e të ardhurave.
Nëse nuk e bëni këtë kthjellim, atëherë ka gjasa që burimi i të ardhurave të jetë i njëjti me burimin e të ardhurave që mundësoi dasmën e madhe dhe fustanin tuaj të nusërisë.
Shqiptarët nuk do të çuditeshin aspak, nëse vjehrra apo gjyshja juaj në sënduk do të kishin ruajtur edhe një apartament për ju.
Post Scriptum- Sa mungojnë tortat tuaja në videot e bashkisë. Kryebashkiaku nuk thotë më: Këtë tortën e ke nga nusja ime. Mungesa e kësaj fjalie i humbet shkëlqimin dhe kuptimin videos.