Dëbimi i diplomatit/ Ambasada Ruse: Akuzat të sajuara, ngjallin dyshime …

0

Ambasada Ruse në Tiranë ka reaguar në lidhje me dëbimin e sekretarit të 2-të, pas akuzave të qeverisë shqiptare se ai ka thyer disa herë karantinën, pasi ishte me koronavirus.

Reagimi i plotë i ambasadës Ruse në Tiranë:

Koment i Ambasadës Ruse lidhur me shpalljen e diplomatit rus ‘persona non grata’

E konsiderojmë të paargumentuar vendimin e autoriteteve shqiptare për dëbimin e diplomatit rus. Gjithashtu, jemi të befasuar nga përmbajtja e deklaratës përkatëse për shtyp të MEPJ-së së Shqipërisë.

Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të MEPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur ‘persona non grata’. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-kovid, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë.

Më herët, në korrik të vitit 2020, në një takim midis Ambasadorit dhe Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, G. Cakaj, u ngrit çështja e pretendimeve, meqë ra fjala, gjithashtu, mjaft të diskutueshme, për sjelljen e një diplomati tjetër. Pikërisht atëherë z. Ambasador premtoi të merrej me këtë çështje, premtim, i cili u përmbush. Vërejtje në adresë të këtij punonjësi nuk pati dhe ai u largua me sukses nga vendi pas disa muajsh, duke përfunduar shërbimin e tij.

Sa i përket z. Krivoshejev, pasi u diagnostikua me COVID-19 në fillim të muajit nëntor 2020, në përputhje me protokollin mjekësor, ai ka qendruar në vetëizolim për dy javë me anëtarët e familjes së tij, duke respektuar rreptësisht karantinën e pëcaktuar, dhe ka dalë në punë vetëm pasi ka kaluar dy teste negative. Kontakte të jashtme, përveç vizitës në institucionet mjekësore për të kryer testet përkatëse, ai nuk ka patur.

Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime.

Gjithashtu, drejtojmë vëmendjen tuaj te fakti se, në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur ‘persona non grata’ nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës.

Artikulli i mëparshëmZbardhen përgjigjet/ Biznesmenët e Ndraghetas takime me Veliajn për të ndërtuar kulla në Tiranë
Artikulli i radhësKush i dekonspiron aksionet e RENEA sa herë mësyn në bazën e krimit në Nikël?!