Lindita Nikolla u zgjodh ministre e Arsimit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe e ushtoi detyrën deri në dhjetor 2018, kur u largua nga qeveria pas protestave maratonë të studentëve.
Lindita Nikolla ka përfunduar studimet për Matematikë në fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 1989 si dhe studimet Mastër për Administrim Publik në universitetin jo-publik, Albanian University.
Znj. Nikolla është përfshirë në politikë në vitin 2003 si këshilltare e Këshillit të njësisë bashkiake nr. 1 në Tiranë dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007 u zgjodh si kryetare e kësaj njësie për dy mandate radhazi.
Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, Znj. Nikolla u zgjodh deputete në qarkun e Tiranës dhe në shtator 2013 iu besua posti i ministres së Arsimit. Znj. Nikolla u pasua në këtë detyrë nga Besa Shahini dhe më pas nga ministrja aktuale, Evis Kushi.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministres Lindita Nikolla nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
1 / 1
Në deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2007, Lindita Nikolla deklaronte pasuri familjare me vlerë 18.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018 pasuria familjare kap vlerën e 26 milionë lekëve.
Znj. Nikolla zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 16.1 milionë lekë, likujditete bankare prej 7.3 milionë lekësh, automjet me vlerë 1.9 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 45.4 milionë lekë, nga të cilat 37% burojnë nga paga e Znj. Nikolla dhe gati 50% nga pagat e familjarëve. Rreth 12% e të ardhurave kanë si burim honoraret nga botimet si dhe një bursë studimi të bashkëshortit të Znj. Nikolla.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me të dhënat e paqarta për pronësinë e një apartamenti, dhurimet si dhe një huamarrje.
Më konkretisht në vitin 2007, Znj. Nikolla dhe bashkëshorti i saj deklarojnë marrjen e një kredie me vlerë 3 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në Golem të Kavajës, por apartamenti dhe çmimi i tij i plotë nuk janë deklaruar në kategorinë e aseteve.
Në vitin 2012, bashkëshorti i Znj. Nikolla deklaron se ka përfituar 182m2 tokë arë përmes dhurimit. Ndërsa në vitin 2013, ai deklaron marrjen e një hua prej 6 mijë eurosh tek një mik, shumë e cila rezulton e pakthyer deri në fund të vitit 2018.
Ndërkohë në vitin 2014, bashkëshorti i Znj. Nikolla deklaron se ka përfituar një bursë studimi prej 24 mijë eurosh nga Ecole Des Hautes Etudes, por nuk ka të dhëna mbi kosto apo shpenzime të tjera për studime jashtë shtetit.
/BIRN