Brezovica dhe pasuri të tjera të paluajtshme të Kosovës i janë dhënë Serbisë!

0

Sa më shumë kohë kalon nga dita e marrëveshjes së deklamuar me plot bujë nga qeveria e Avdullah Hotit me Vuçiçin në Shtëpinë e Bardhë, gjithnjë e më shumë dalin kleçka të reja e të rrezikshme.

Sipas anekseve të pashpallura të asaj marrëveshjeje, merret vesh që hapësira të rëndësishme të pasurisë së Kosovës u janë lënë Serbisë për t’i menaxhuar.

Këtë e bën të ditur në mënyrë të qartë portali “Sputnik” i Kremlinit, i cili përmend disa nga pronat që sipas asaj marrëveshjeje duhet t’i menaxhojë Serbia.

Një marrëveshje që do të jetë realisht një “halë në fyt” për qeverinë e re të pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, që sipas të gjitha gjasave do të drejtohet nga Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se qendra turistike e skive në Brezovicë “do të kthehet në një qendër ndërkombëtare”, duke njoftuar investime këtë vit brenda Marrëveshjes së Uashingtonit dhe detyrimeve të marra nga Kosova”.

Sipas gazetës serbe “Novosti”, Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, prezantoi në Uashington një marrëveshje që parashikon një investim prej rreth 600,000 euro.

Sipas mediave serbe, në 16 pika të marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, Brezovica nuk përmendet qartë.

Pika “projekte shtesë”, nën të cilën mund të përfshihet Qendra e Skijimit, ekziston brenda pikës që parashikon bashkëpunimin midis të dy palëve me Korporatën Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bankën e Import-Eksportit të SHBA.

Sipas dokumenteve që publikoi “Novosti”, Qendra e Skijimit “Brezovica” është në pronësi të Fondit “Inex Interexport a.d.” me një pjesëmarrje prej 82.33 përqind dhe NP “Ski Resorts of Serbia” me një pjesëmarrje prej 17.67 përqind.

Në vitin 2015, autoritetet e Prishtinës njoftuan shpronësimin e tokës në Brezovicë me synimin për t’ia dhënë me qira një investitori të huaj për një periudhë prej 99 vitesh.

Në atë kohë, Fondi “Inex Interexport” paraqiti një apel në Gjykatën Supreme në Prishtinë, duke kërkuar që vendimi mbi shpronësimin e pasurive të patundshme në pronësi të “Inex” në Brezovicë të anulohej. Gjithashtu, Qeveria e Serbisë paralajmëroi investitorët e mundshëm që Qendra e Skijimit “Brezovica” është në pronësi të Republikës së Serbisë.

Dy vjet më vonë, qeveria në Prishtinë anuloi vendimin për shpronësimin e pasurive të patundshme, duke shpjeguar se “projekti dështoi”.

Një tjetër detaj del nga mediat serbe në lidhje me të ashtuquajturin dialog të Brukselit. Ku bëhet e ditur se Serbia ka dërguar dokumentet e saj, që i takojnë rreth 60 përqind e pasurive të paluajtshme të Kosovës.

Zyra e qeverisë serbe për Kadastrat, ka dërguar në Bruksel një material ku jep hollësi të plota mbi pretendimet e saj.

Profesori i së drejtës pronësore, Dr. Dushan Çeliç i cili është pedagog në Universitetin e Prishtinës ka deklaruar për portalin “Sputnik” se janë “një milion parcela kadastrale në pronësi të serbëve”.

Serbia ka pretendime për komplekse të mëdha si Trepça, Brezovica, Minierat sipërfaqësore, “Elektro-kosmet”, “Srbijasume”, Aeroporti, Parku Kombëtar Sharr, “Hekurudhat “, “NIS Petrol”, që sipas Beogradit llogaritet në rreth 200 miliardë euro.

Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe ka në pronësi të saj në Kosovë, 164,664 hektarë, që është 15 përqind e territorit të Kosovës.

Të gjitha këto argumente janë më shumë se bazikë, janë jetësorë në lidhje me shtetësinë e Kosovës, për të cilat qeveritë e deritanshme jo vetëm nuk kanë folur, por kanë firmosur dhe fshehur dorën, duke i vendosur një deficit të rrezikshëm vendit.

Dialogu me Serbinë duket ka qenë më i rrezikshëm, nga ç’është folur, ndërkohë që qeveritë e Thaçit, Mustafës, Haradinajt e Hotit, nuk kanë pasur asnjë mandat që të negociojnë për pasuritë e Kosovës. Vetëm Kuvendi i Kosovës e ka këtë të drejtë, por që kurrë nuk është ngritur as si diskutim, apo edhe si shqetësim.

Ndërkohë që bëhej zhurmë për pasuritë në kufi me Malin e Zi apo edhe të veriut të vendit, duket se e keqja nuk paska pasur fund, pasi flitet për troje e pasuri në zemër të Kosovës…

Artikulli i mëparshëmPolitika e Privatësisë
Artikulli i radhës‘Hiqej si boksieri Florian Marku’, mashtruesi i merr paratë familjes me varfëri ekstreme