Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan deklaroi se 10 milionë doza të tjera të vaksinës kineze CoronaVac do të mbërrijnë në vend këtë fundjavë. Shpërndarja e ngarkesës së dytë të vaksinës është miratuar tashmë nga Kina. Turqia mori ngarkesën e parë të 3 milionë dozave të Sinovac në fund të dhjetorit, pasi të dhënat paraprake treguan se vaksina ishte 91.25% efektive. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit të nisur më 14 janar, mbi 1 milion persona janë vaksinuar, shumica e të cilëve punonjës të shëndetësisë dhe të moshuar. Koordinatori i programit të vaksinimit deklaroi se është më lehtë të kryhen vaksinime të shpejta me CoronaVac sesa disa marka të tjera që kërkojnë ruajtje në temperature shumë më të ulta.
Provat klinike të Fazës III të Sinovac në vend filluan në 14 shtator 2020, duke përfshirë më shumë se 7,000 vullnetarë. Rezultatet e publikuara së fundmi u bazuan në të dhëna nga 1,322 njerëz.
Studiuesit turq thanë më 24 dhjetor se asnjë efekt i madh anësor nuk është raportuar gjatë provës së tyre, përveç një personi që kishte një reaksion alergjik. Efektet e zakonshme anësore të shkaktuara nga vaksina janë ethet, dhimbja e lehtë dhe lodhja e lehtë. Së fundmi, Turqia raportoi rreth 24 mijë të vdekur dhe mbi 2,4 milionë të infektuar nga COVID-19 që nga muaji mars 2020, shifra ndër më të lartat në rajonin e Lindjes së Mesme.