Kompanitë që i kushtuan më shumë buxhetit – 10 më të mëdhatë kanë marrë rreth 200 mln euro në total në 2020

0

“Open Data Albania” ka publikuar të dhënat për kompanitë më të paguara gjatë vitit 2020 përmes Buxhetit të Shtetit.  Kështu, në vitin 2020, në vendin e parë si biznes që ka përfituar vlerën më të lartë të transaksioneve buxhetore është shoqëria Trans Adriatik Pipeline AG Albania, pra kompania që gazsjellësit TAP. Për këtë shoqëri në vitin 2020, Thesari ka regjistruar dhe ekzekutuar 16 transaksione me vlerë totale për 4 840 979 024 Lekë, çka përkthehet në rreth 40 milionë euro.

Arsyet e pagesave për këtë shoqëri janë Rimbursim Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi mallra dhe shërbime brenda vendit. Në vendin e dytë për vlerë më të lartë transaksionesh nga Thesari i Shtetit në viti 2020 renditet shoqëria e Biznesit G. P. G Company, shoqëri vendase e cila në vitin 2020 ka arkëtuar në total nga Thesari vlerën prej 2 782 494 664 Lekë, përafërsisht 22.6 milionë euro. Shoqëria ka një portofol të gjerë kontratash publike në fushën e investimeve.

Autoritetet kryesore kontraktore njëkohësisht paguese të saj janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shoqëria është themeluar në vitin 1996, ka një portofol voluminoz kontratash në sektorin publik, është zotëruese e tre shoqërive ky dy janë koncesionare në Sektorin Hidrik, dhe mban prej vitesh një pozicion të mirë në renditjen e bizneseve sipas vlerave të pagesave me fonde publike.

Në vendin e tretë renditet Gjoka 87, shoqëria që zbaton kontratën koncesionare për Përmirësim, Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje të Rrugës së Arbrit. Në vitin 2020, për shoqërinë Gjoka 87 janë bërë në total 6 transaksione me vlerë 2 520 000 000 Lekë , ose rreth 20.48 milion. Nga fillimi i aktivitetit të saj koncesionar shoqëria ka marrë në total nga Buxheti i Shtetit vlerën prej 6.3 miliard lekësh.

Vendi i katërt i përket shoqërisë Kastrati e cila ka arkëtuar përmes thesarit vlerën prej 1 854 703 398 Lekë. Vendi i pestë në renditje i takon shoqërisë Fusha e cila këtë vit ka shënuar transaksione në vlerën 1 805 847 034 Lekë. Renditja vijon me “Salillari”, “Alb-star”, “Gjikuria”, “Ayen As Energji”, si dhe “Agbes Construksion”. Në total, të dhjeta këto kompani kanë marrë nga buxheti i shtetit rreth 200 milionë euro përafërsisht gjatë 2020-ës.

Artikulli i mëparshëmKomiteti Teknik: Rritje të shtrimeve në spitale dhe viktimave, vijon pezullimi i fluturimeve me Britaninë
Artikulli i radhësAbuzimi ndaj Rashford, Facebook fshin llogari, ndërhyn edhe Princi William: “Kjo gjë duhet të marrë fund”