Që në datën 22 Korrik të vitit të shkuar, kur ende nuk flitej shumë për fushatën elektorale, ambasadorja e SHBA Yuri Kim lëshoi një twitter, i cili ishte i zhveshur nga gjuha diplomatike.
Ajo i paralajmëronte hapur në emër të SHBA udhëheqësit e politikës shqiptare, se ata do të mbajnë përgjegjësi individuale nëse kandidojnë nën siglat e partive që udhëheqin individë me të kaluar të dyshimtë dhe lidhje me krimin dhe korrupsionin.
‘Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin’, shkruante atëherë ambasadorja.
Pas caktimit të datës së zgjedhjeve dhe nisjes së përgatitjeve serioze të partive për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ambasadorja Kim nisi një seri takimesh me kryetarët e partive, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe vetë presidentin Ilir Meta.
Gjithashtu u organizuan disa aktivitete me shoqërinë civile dhe përfaqësues të politikës. Të gjitha këto kishin vetëm një temë: Bllokimin e individëve me të shkuar të dyshimtë apo të lidhur aktualisht me krimin dhe korrupsionin, që të kandidojnë dhe më pas të infiltrohen si deputetë në parlament.
Kjo betejë e ambasadës amerikane të kujton periudhën e ambasadorit, Donald Lu, i cili e kishte kthyer në kauzë kryesore këtë aksion edhe për faktin se të gjithë e panë se çfarë doli pas zbatimit të Ligjit për Dekriminalizmin i cili kapi një vargan deputetësh dhe kryetarësh bashkish mes radhëve të Partisë Socialiste.
Pavarësisht nga kjo fushatë me tone të forta të ambasadores, Kim, duket se informacionet që posedon selia në ‘Rrugën e Elbasanit’ konfirmojnë se Edi Rama as në këto zgjedhje nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga ajo që bëri gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të viteve 2013 dhe 2017, si dhe në ato lokalet të vitit 2019 edhe pse u realizuan si mono-partiake.
Në këtë situatë në datën 22 Janar 2021, ajo rikujtoi paralajmërimin e parë me nota më të forta duke future ‘në lojë’edhe sekretarin e ri të Shtetit në Antony Bliken i cili në senat deklaroi se SHBA nuk do të tolerojë korrupsionin politik nëpër botë.
‘Paralajmërimi që bëra (22 Korrik 2020) që kryetarët do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre, mbetet i vlefshëm’, Nëse doni të dini nëse ky paralajmërim mbetet i vlefshëm, kjo është ajo që Tony Blinken, i nominuari i Pres Biden për Sekretar i Shtetit, tha në seancën e tij 1/19 para Senatit: Ne duam të lartësojmë punën në luftimin e korrupsionit’, shkruante ambasadorja.
Pas kësaj ajo ka vazhduar gati përditë me paralajmërime të ngjashme duke theksuar se udhëheqësit, do të mbajnë përgjegjësi nëse krimi dhe korrupsioni arrin që të futet në parlament, edhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit.
Por të gjithë këtë aktivitet të diplomates më të rëndësishme në Shqipëri e cila është përkrahur fuqishëm, edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe dhe delegacioni I BE-së, kryeministri Edi Rama e ka hedhur poshtë mëngjesin e 1 Shkurtit, me vetëm një fjali injoruese dhe cinike.
Sipas Edi Ramës, partitë nuk janë dhoma torturash dhe drejtori policie. Madje ai e injoroi edhe drejtpërdrejt ambasadoren Kim kur tha ndryshe nga ajo, se përgjegjësia është individuale dhe udhëheqësit dhe partitë që drejtojnë, nuk kanë punë fare me këtë proces verifikimi.
‘Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetë-deklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. S`kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka’, ishte injorimi i drejtpërdrejtë që Rama i bëri sot ambasadores dhe paralajmërimeve të saj.
Kujtojmë se ky qëndrim kundërshtues i kryeministrit ndaj SHBA, vjen menjëherë pas një përplasje të hapur edhe me Bashkimin Europian dhe kërcënimeve të tij, se do ta drejtojë vendin drejt Turqisë, Lindjes së Mesme, e madje edhe më tutje!