Situata e përmbytjeve në zonën e nën Shkodrës vijon të përkeqësohet. Reshjet e dendura të këtyre javëve kanë bërë që sipërfaqja e përmbytjes jo vetem të rritet, por uji ka shtuar ndjeshëm thellësinë e tij në toka bujqësore dhe oborret e banesave. Bashkia raporton se ditën e hënë janë mbi 3 mijë hektarë tokë nën pushtetin e ujit, shumica e të cilës është tokë e kultivuar me kultura bujqësore dhe blegtorale.
Lumenjtë Drin dhe Buna kanë shtuar ndjeshëm prurjet, duke iu afruar pikave të tyre maksimale. Ndërkohë për zonat e përmbytura emergjenca kryesore mbetet furnizimi me ujë të pijshëm dhe ushqimi për bagëtitë dhe gjënë e gjallë. Ndërsa në shumicën e zonave të përmbytura mungon edhe energjia elektrike. Ka fshatra që tanimë janë vetëm të lundrueshëm.