Një aleat i ngushtë i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan po përgatitet të prodhojë vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V nën një marrëveshje të firmosur në fshehtësi prej disa muajsh.
Ozturk Oran, drejtuesi i bankës islamike “Vakif Katilim” dhe pronari i kompanisë farmaceutike VisCoran, ka nënshkruar një marrëveshje me Fondin Rus të Investimeve Direkte për prodhimin e vaksinës në Turqi.
Nga ana tjetër edhe kreu i fondit rus, Kirill Dmitriev konfirmoi një marrëveshje të përbashkët prodhimi me një kompani turke por nuk pranoi ta identifikonte atë.
Oran, i cili ka qenë afër Erdoganit që në ditët e para të lëvizjes politike të presidentit, tha për Bloomberg se VisCoran ka nënshkruar marrëveshjen më 16 gusht 2020, shumë kohë më përpara se efikasiteti i vaksinës ruse të ishte mbi 90 për qind në studimet shkencore.
Kompania private VisCoran nuk ka aftësinë për të prodhuar në masë Sputnik V, kështu që pjesa më e madhe e punës ka gjasa të transferohet në një nga kompanitë e pakta turke që kanë kapacitetin teknik për ta bërë atë, tha Oran.
Të dy Oran dhe Dmitriev nuk pranuan të siguronin për një afat kohor të prodhimit.
Negociatat për prodhimin e përbashkët filluan pasi afrimit të Presidenti rus Vladimir Putin me atë turk Rexhep Tajip Erdogan.
Të dy udhëheqësit kanë sjellë vendet e tyre më afër ushtarakisht dhe komercialisht në vitet e fundit, duke nxitur shqetësimin midis aleatëve të vjetër të Turqisë në Perëndim se qeveria në Ankara mund të jetë shumë më afër Moskës.
Vendimi i Turqisë për të blerë pajisje mbrojtje ruse kundër raketave ka shkaktuar tashmë sanksione amerikane dhe e pezulloi ushtrinë turke nga prodhimi i përbashkët i avionëve luftarakë F-35.
Dmitriev la mënjanë çdo lidhje politike me marrëveshjen Sputnik V, duke thënë se është e natyrshme që kompanitë turke të jenë të interesuara për të marrë një licencë për “vaksinën më të mirë në botë”.
Sipas Oran, Turqia mund të përfundojë duke prodhuar më shumë doza se sa ka nevojë për 83 milionë banorët e saj dhe 5 milionë refugjatët që pret, duke lejuar eksporte në pjesën tjetër të botës.
Turqia ka një marrëveshje me Kinën për të blerë 50 milion doza të vaksinës CoronaVac të zhvilluar nga Sinovac Biotech Ltd. deri në fund të Marsit dhe një marrëveshje për 4.5 milionë doza shtesë të vaksinës të zhvilluar nga amerikania Pfizer dhe BioNTech me bazë në Gjermani./Bloomberg