Pavarësisht ngadalësimit të papritur në ditët e fundit, negociatat midis BC Partners dhe Suning për shitjen e Interit vazhdojnë dhe madje, sipas raporteve nga Milano Finanza, ka nga ata që besojnë se mund të arrihet akordi brenda disa javësh. Kohët e fundit grupi kinez mësohet se i ka thënë jo një propozimi prej 880 milion eurosh, një shifër sidoqoftë më afër vlerësimit që Zhang-ët i japin klubit (rreth 950 milionë, përfshirë borxhet) krahasuar me 750-800 të supozuara fillimisht.
Distanca është e madhe, por jo edhe aq e pakalueshme, duke folur për shifra të një rëndësie të caktuar. E në fakt, fondi anglez, sipas asaj që bëhet e ditur nga Milano Finanza, është i gatshëm të propozojë një ofertë të re, zyrtare dhe e cila do të parashikojë një përgjigje me shkrim si në rast të pranimit ashtu edhe refuzimit, deri në fundjavë, ose disa ditë më vonë.
Ndërkohë, Suning, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të shesë krejtësisht pjesën e tij të aksioneve, apo të mbetet në pakicë, po shqyrton gjithashtu hipoteza të tjera.