Rezerva valutore u rrit me 17.3% për vitin 2020

0

Shqipëria e mbylli vitin 2020 me një rezervë valutore prej 3.94 miliardë eurosh.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e mjeteve të rezervës valutore të vendit u rrit me 17.3% gjatë vitit të kaluar. Vlera e rezervës valutore u rrit në të gjitha mjetet në të cilat ajo mbahet.

Zëri më likuid, monedha dhe depozita, në fund të vitit të kaluar arriti vlerën e 1.62 miliardë eurove, në rritje me 30% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, zëri tjetër më i rëndësishëm, ai i instrumenteve të borxhit, arriti vlerën e 1.96 miliardë eurove, në rritje vjetore me 4.3%.

Instrumenti me rritjen më të lartë ishin të drejtat e tërheqjes në Fondin Monetar Ndërkombëtar (SDR), që arriti vlerën e 198 milionë eurove, 150% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2019. Rritja erdhi falë marrëveshjes së huasë së nënshkruar në muajin prill mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së, në formën e Instrumentit të Financimit të Shpejtë.

Madhësia e rezervës valutore të vendit është e kënaqshme në raport me objektivat kryesorë të saj, një nga të cilët është mbulimi i katër muajve importe. Mbështetur në të dhënat e tregtisë së jashtme për vitin 2020, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 410 milionë euro. Mbi këtë shumë, vlera e rezervës valutore në fund të vitit do të mjaftonte për të mbuluar rreth 9.6 muaj importe mallrash.

Parametri i dytë në bazë të cilit vlerësohet mjaftueshmëria e rezervës valutore, sipas Bankës së Shqipërisë, është borxhi i jashtëm afatshkurtër. Rezerva duhet të mbulojë detyrimet e jashtme afatshkurtra të ekonomisë shqiptare në masën 100%. Statistikat tregojnë se në fund të shtatorit 2020, borxhi i jashtëm afatshkurtër kishte vlerën e 540 milionë eurove. Mbi këtë bazë, rezerva valutore e vendit ofron një mbulim prej afërsisht 7.3 herë. Nëse në borxhin e jashtëm afatshkurtër llogarisim edhe detyrimet e borxhit të kompanive të huaja ndaj investitorëve të tyre, mbulimi zbret në afërsisht 1.8 herë.

Rezerva e shëndoshë valutore e vendit vlerësohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë si një mburojë që ofron siguri të mjaftueshme në afatin e shkurtër. Rezerva valutore është një instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditjet në ekonomi dhe në kursin e këmbimit valutor. Kjo u provua në mars të vitit të kaluar, kur shpërthimi i pandemisë i dha një goditje nënçmuese lekut në kursin e këmbimit valutor me euron, me rreth 7% në më pak se dy javë. Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro brenda pak ditësh dhe kjo mundësi stabilizim të shpejtë të kursit të këmbimit valutor.

Artikulli i mëparshëmPërgjimet e Ndranghetës që bënë bujë në vendin tonë ku u përmendën edhe politikanë dhe zyrtarë të lartë, SPAK nis hetimet (3 akuzat që rëndojnë)
Artikulli i radhësRudina Hajdari në zi, mes dhimbjes së madhe jep lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të njeriut të shtrenjtë për familjen e saj (EMRI+FOTO)