Ka vetëm dy muaj që ka marrë drejtimin e PDK-së, si ushtrues detyre, por Enver Hoxhaj, si kandidat i kësaj partie për kryeministër thotë se ai mund të sjellë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj thotë se njohjet e tij personale me liderët botërorë, si Joe Biden e Angela Merkel, do ta ndihmonin procesin duke sjellë njohjen e ndërsjellë dhe përfundimin e historisë së dhimbshme të Ballkanit.
Në këtë intervistë, ish-kryediplomati kosovar, shpalos detaje nga programi i PDK-së, ku përfshihet plani prej 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike për të luftuar efektet e pandemisë së COVID-19.
Ai thotë se do t’i zbatonte të gjitha pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit. Në shtator, kur edhe përfundon moratoriumi për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, Hoxhaj thotë se do të aplikonte për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Hoxhaj thotë se nuk inkurajon tubimet masive për shkak të pandemisë, por pamjet nga tubimet e PDK-së flasin ndryshe.