Pandemia mund t’i hapë rrugën një epoke të rritjes së shpejtë të produktivitetit

0

Bizneset kanë adoptuar procese dhe teknologji të reja – dhe ka shenja që ato mund të jenë fitimprurëse, shkruan The Economist

Mundësitë për një ripërtëritje të produktivitetit mund të duken të zymta. Në fund të fundit, dekada e kaluar ka shfaqur mjaft fatalizëm teknologjik: në vitin 2013, kapitalisti sipërmarrës Peter Thiel, i përshkroi përparimet teknologjike të kohës me fjalët: “ne donim makina fluturuese, dhe në vend të tyre, morëm 140 karaktere”.

Robert Gordon nga Universiteti Northwestern i ka bërë jehonë kësaj ndjenje, duke spekuluar se njerëzimi nuk mund të krijojë kurrë më diçka aq transformuese sa tualeti WC. Gjatë gjithë dekadës, të dhënat mbështetën kryesisht pikëpamjet e pesimistëve.

Për më tepër, disa studime të pandemive të kaluara dhe analiza të efekteve ekonomike, tregojnë se Covid-19 mund të ulë performancën e produktivitetit. Sipas hulumtimeve nga Banka Botërore, vendet e goditura nga shpërthimet pandemike në shekullin XXI (duke mos përfshirë Covid-19) përjetuan rënie të dukshme me 9% të produktivitetit të punës, pas tre vjetësh, krahasuar me vendet e paprekura.

E megjithatë, kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Kohët brutale të viteve 1930, i lanë vendin bumit ekonomik më të jashtëzakonshëm në histori. Një brez më parë, ekonomistët gati e kishin braktisur fare shpresën për të arritur ecurinë e pasluftës kur shpërtheu një valë produktiviteti falë informatikës. Dhe sot ka shenja që tregojnë se traumat ekonomike dhe sociale të dy dekadave të para të këtij shekulli, së shpejti mund t’i lënë vendin një periudhe të re dinamizmi ekonomik.

Produktiviteti është eliksiri magjik i rritjes ekonomike. Rritjet në madhësinë e fuqisë punëtore ose stokun e kapitalit, mund të rrisin prodhimin, por efekti i kontributeve të tilla zvogëlohet nëse nuk gjenden mënyra më të mira për t’i përdorur këto burime. Rritja e produktivitetit – duke nxitur më shumë prodhim nga burimet e disponueshme – është burimi përfundimtar i rritjeve afatgjata të të ardhurave. Kjo nuk është gjithçka që duhet, siç vuri re Paul Krugman, fitues i çmimit “Nobel” në ekonomi, por në planin afatgjatë, është pothuajse gjithçka.

Ekonomistët nuk dinë aq sa duhet mbi produktivitetin. Rritjet e produktivitetit të punës (domethënë, më shumë prodhim për punëtor në orë) duket se pasojnë përmirësime në nivelet arsimore, rritje në investime (të cilat rrisin nivelin e kapitalit për punëtor) dhe adoptimin e inovacioneve të reja.

Rritja e produktivitetit të faktorit total – ose efikasiteti me të cilin një ekonomi përdor inputet e saj prodhuese – mund të kërkojë zbulimin e mënyrave të reja të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, ose rialokimin e burimeve të pakta nga firmat dhe vendet me produktivitet të ulët, në ato me produktivitet të lartë.

Në nivel global, rritja e produktivitetit u ngadalësua ndjeshëm në vitet 1970, nga nivelet e larta në dekadat e pasluftës. Shpërthimi i rritjes së produktivitetit më të lartë në botën e pasur, udhëhequr nga Amerika, u shpalos nga mesi i viteve 1990, në fillim të viteve 2000.

Tregjet në zhvillim, gjithashtu gëzuan rritje të shpejtë të produktivitetit në dekadën para krizës financiare globale, falë niveleve të larta të investimeve dhe zgjerimit të tregtisë që solli teknika dhe teknologji më të sofistikuara për pjesëmarrësit e ekonomisë në zhvillim në zinxhirët e furnizimit global. Sidoqoftë, që nga kriza, është vënë re një ngadalësim i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i rritjes së produktivitetit (shih grafikun 1). Rreth 70% e ekonomive të botës janë prekur nga ky fenomen, sipas Bankës Botërore.

Llogaritja e ngadalësimit është një proces i tensionuar. Banka Botërore llogarit se ngadalësimi i rritjes së tregtisë dhe më pak mundësi për të përshtatur teknologji të reja nga vendet më të pasura, mund të kenë ndihmuar në uljen e përparimeve të produktivitetit në botën në zhvillim.

Në të gjitha ekonomitë, investimet e ngadalta në pasojat e krizës financiare globale duket se janë shkaktarët: një problem i veçantë në vendet me plakje dhe tkurrje të fuqisë punëtore. Megjithatë, pavarësisht se këto prirje kanë rëndësi, pyetja më e madhe është pse teknologjitë e reja si robotika, informatika cloud dhe Inteligjenca Artificiale, nuk kanë nxitur më shumë investime dhe rritje më të lartë të produktivitetit.

Duke folur gjerësisht, janë në garë tre hipoteza për të shpjeguar këto ngatërresa. Njëra, e shprehur nga tekno-pesimistët, këmbëngul se pavarësisht gjithë entuziazmit për teknologjitë që ndryshojnë botën, risitë e kohëve të fundit thjesht nuk janë aq transformuese sa këmbëngulin optimistët. Megjithëse është e mundur që kjo hipotezë të dalë e saktë, përparimi i vazhdueshëm teknologjik, e bën atë të duket gjithnjë e më pak e besueshme si një shpjegim për ngërçet.

Inteligjenca Artificiale mund të mos e ketë transformuar ekonominë botërore me një ritëm dramatik sa ç’pritej pesë deri në dhjetë vjet më parë, por është bërë më e aftë, në mënyrë të dukshme, dhe në disa raste, befasuese. GPT-3, një model i parashikimit të gjuhës i zhvilluar nga firma kërkimore Openai, ka demonstruar një aftësi të jashtëzakonshme për të vazhduar bisedat, për të hartuar tekste të gjata dhe për të shkruar kode në mënyrë çuditërisht të ngjashme me njeriun.

Megjithëse është nënvlerësuar prej kohësh potenciali i web-it për të mbështetur një ekonomi, informatika cloud dhe video-konferencat provuan vlerën e tyre ekonomike gjatë vitit të kaluar, duke lejuar që sasi të mëdha të aktivitetit prodhues të vazhdojnë pa ndërprerje, pavarësisht mbylljes së zyrave në masë. Duket qartë se teknologjitë e reja janë të afta të bëjnë më shumë sesa është kërkuar prej tyre në vitet e fundit.

Kjo forcon argumentin për një shpjegim të dytë të rritjes së ngadaltë të produktivitetit: kërkesa e dobët kronike. Sipas këtij këndvështrimi, të shprehur më qartë nga Larry Summers i Universitetit të Harvardit, paaftësia e qeverive për të mbledhur shpenzime të mjaftueshme, i kufizon investimet dhe rritjen ekonomike. Nevojiten më shumë investime publike për të zhbllokuar potencialin e ekonomisë. Normat kronike të ulëta të interesit dhe inflacionit, investimet e pakta private dhe rritja e dobët e pagave që nga fillimi i mijëvjeçarit, tregojnë qartë se kërkesa ka qenë e pamjaftueshme për dy dekadat e fundit.

Është e vështirë të thuhet nëse kjo nënkupton rritjen e produktivitetit. Por në vitet para pandemisë, ndërsa papunësia ra dhe rritja e pagave u rrit, rritja e produktivitetit të punës amerikane duket se po përshpejtohet, nga një rritje vjetore prej vetëm 0.3% në vitin 2016, në një rritje prej 1.7% në vitin 2019: ritmi më i shpejtë i rritjes që nga viti 2010.

Shpjegimi i tretë ofron argumentin më të fortë për optimizëm: duhet kohë për të gjetur mënyrën e përdorimit të teknologjive të reja në mënyrë efektive. Inteligjenca Artificiale është një shembull i asaj që ekonomistët e quajnë një “teknologji me qëllim të përgjithshëm”, si energjia elektrike, e cila ka potencialin për të rritur produktivitetin në shumë industri. Por përdorimi më i mirë i teknologjive të tilla, kërkon kohë dhe eksperimentim. Ky akumulim i njohurive teknike është me të vërtetë një investim në “kapital jo-material”.

Studimet e fundit nga Erik Brynjolfsson dhe Daniel Rock në Universitetin MIT, dhe nga Chad Syverson në Universitetin e Çikagos, argumentojnë se ky model çon në një fenomen që ata e quajnë “kurba J e produktivitetit”. Teksa miratohen teknologjitë e reja, firmat i zhvendosin burimet drejt investimeve jomateriale: duke zhvilluar procese të reja të biznesit.

Kjo zhvendosje e burimeve do të thotë se prodhimi i firmës vuan në një mënyrë që nuk mund të shpjegohet plotësisht nga zhvendosjet në përdorimin e matur të punës dhe kapitalit të prekshëm, dhe kështu interpretohet si një rënie në rritjen e produktivitetit. Më vonë, teksa investimet jo materiale japin fryte, rritja e matur e produktivitetit nxitet sepse prodhimi rritet në një mënyrë të pashpjegueshme nga inputet e matura të punës dhe kapitalit të prekshëm.

Autorët mendojnë se në vitin 2010, dështimi për të llogaritur investimet jo materiale në software bëri pak diferencë në numrat e produktivitetit. Por produktiviteti është nënvlerësuar gjithnjë e më shumë; deri në fund të vitit 2016, rritja e produktivitetit ishte ndoshta rreth 0.9% më e lartë se sa sugjeronin vlerësimet zyrtare.

Ky model ka ndodhur më parë. Në vitin 1987, Robert Solow, një tjetër fitues i çmimit Nobel, vërejti se ndikimi i kompjuterëve mund të shihej kudo përveç statistikave të produktivitetit. Nëntë vjet më vonë, rritja e produktivitetit amerikan nisi një përshpejtim që i hapi rrugën epokës së artë të viteve 1950 dhe 1960. Këto procese nuk janë gjithmonë interesante.

Në fund të viteve 1990, çmimet në rritje të aksioneve të startup-eve të internetit, pushtuan titujt kryesorë. Fillimi i rritjes së produktivitetit kishte burime të tjera, si përmirësime në teknikat e prodhimit, menaxhim më të mirë të inventarit dhe racionalizim të logjistikës dhe proceseve të prodhimit të bëra të mundura nga dixhitalizimi i regjistrave të firmës dhe përdorimi i softuerit inteligjent.

Kurba J ofron një mënyrë për të pajtuar optimizmin e teknologjisë dhe përvetësimin e teknologjive të reja me statistikat e produktivitetit. Roli i investimeve jo materiale në zhbllokimin e potencialit të teknologjive të reja mund të nënkuptojë gjithashtu se pandemia, me gjithë dëmtimin e saj ekonomik, ka nxitur një bum në produktivitet. Mbylljet e zyrave i kanë detyruar firmat të investojnë në dixhitalizim dhe automatizim, ose të përdorin më mirë investimet ekzistuese.

Zakonet e vjetra analoge nuk mund të tolerohen më. Megjithëse nuk do të shfaqet në ndonjë statistikë ekonomike, në vitin 2020, drejtuesit në të gjithë botën investuan në rregullimet organizative të nevojshme për të bërë që teknologjitë e reja të funksionojnë në mënyrë efektive (shih grafikun 2). Jo të gjitha këto përpjekje do të kenë çuar në përmirësime të produktivitetit. Por ndërsa Covid-19 do të largohet gradualisht, firmat që kanë transformuar aktivitetet e tyre do të ruajnë dhe do të mbështesin mënyrat e reja për t’i kryer gjërat.

Kriza detyroi ndryshimin

Dëshmitë e hershme tregojnë se disa transformime ka shumë të ngjarë të mbeten, dhe se pandemia e shpejtoi ritmin e adoptimit të teknologjisë. Një studim i firmave globale i kryer nga Forumi Ekonomik Botëror, zbuloi se më shumë se 80% e punëdhënësve synojnë të përshpejtojnë planet për të dixhitalizuar proceset e tyre dhe të sigurojnë më shumë mundësi për punë në distancë, ndërsa 50% planifikojnë të përshpejtojnë automatizimin e prodhimit. Rreth 43% presin që ndryshime të këtij lloji të gjenerojnë një reduktim neto të fuqisë së tyre punëtore: një zhvillim i cili mund të paraqesë sfida në tregun e punës, por që nënkupton përmirësime të produktivitetit.

Më e vështirë për t’u vlerësuar është mundësia që zhvendosja e kaq shumë punëve në cloud, mund të ketë efekte të rritjes së produktivitetit për ekonomitë kombëtare ose në nivelin global. Kostot e larta të strehimit dhe pronës në qytetet e pasura dhe produktive, i kanë zhvendosur firmat dhe punëtorët jashtë vendeve ku mund të kishin realizuar më shumë, me më pak burime.

Nëse punonjësit e teknologjisë mund të kontribuojnë më lehtë në firmat e fuqishme, ndërkohë që jetojnë në qytete me jetesë të përballueshme larg brigjeve të Amerikës, atëherë për shembull, rregullat e rrepta të zonave në gjirin e Kalifornisë do të bëhen më pak pengesë. Hapësira e zyrave në San Francisko ose Londër, e liruar tashmë nga rritja e punës në distancë, mund të pushtohet nga firmat që kanë me të vërtetë nevojë që punonjësit e tyre të operojnë në afërsi fizike.

Përtej kësaj, dhe nëse e lejon politika, rritja e arsimit në distancë dhe telemjekësisë që u nxit nga pandemia, mund të ndihmojë në lulëzimin e një periudhe rritjeje në tregtinë e shërbimeve dhe arritjen e ekonomive të shkallës në sektorë që kanë qenë prej kohësh rezistentë ndaj masave të rritjes së produktivitetit.

Asgjë nga këto nuk mund të merret si e mirëqenë. Përfitimi sa më i madh i investimeve të sektorit privat në teknologji dhe njohuri teknike, do të kërkojë që qeveritë të sigurojnë një rimëkëmbje të shpejtë të kërkesës, të kryejnë investime shtesë në të mira publike, dhe të përqendrohen në trajtimin e mungesave arsimore që kanë vuajtur kaq shumë studentë si pasojë e mbylljes së shkollave.

Por lëndët e para për një bum të ri të produktivitetit duket se po japin frytet e tyre, në një mënyrë që nuk është parë për të paktën dy dekada. Errësira e këtij viti mund të nënkuptojë se agimi është në horizont./ Përktheu Lira Muça/MONITOR

Artikulli i mëparshëmÇfarë ndikimi ekonomik kanë pasur karantinat e kohëve të fundit?
Artikulli i radhësRënia ekonomike nga Covid-19 do të shtojë numrin e të varfërve në nivel global