Disa problematika në ekzekutimin e detyrimeve të kredive bankare

0

Avokat Thodhori Kamberi*

Detyrimet monetare dhe posacërisht detyrimet e kredive bankare janë sot një realitet i prekshëm i cili në praktikë ka sjell me vete dhe problematikat në zbatimin e tij.

Shlyerja e detyrimeve të kredive bankare dhe sidomos ekzekutimi i tyre zënë një vend të rëndësishëm në kuadrin rregullues të legjislacionit shqiptar.

Në kodin Civil shqiptar kontrata e huasë (kredia) përcaktohet kështu“Me kontratën e huas njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës tjetër (huamarrësit) një shumë të hollash ose sende që përcaktohen në numër, me peshë ose me masë dhe huamarrësi detyrohet t’i kthejë huadhënësit aq të holla, ose aq sende të atij lloji dhe të asaj cilësie, brenda afatit të caktuar në kontratë ose, kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e huadhënësit”.

Huaja është një kontratë që manifestohet në dy forma kryesore ,së pari është dhënia e sendeve ne gjini pa shpërblim nga një person tek një tjetër në formë e ndihmës ekonomike dhe së dyti është dhënia e huasë në formën e kredisë nga ana subjekteve dhe institucioneve të specifikuara me ligj.

Sipas teorisë së të drejtës, me kontratën e huase njëra palë i jep në pronësi palës tjetër një shumë të hollash ose sende që përcaktohen në numër, peshe ose masë dhe huamarrësi detyrohet ti kthejë huadhenësit aq të holla ose aq sende të atij lloji brenda afatit të caktuar në kontratë.

Kontrata e huasë është një kontratë e njëanëshme që sjell detyrime vetëm për huamarrësin. Me anë të kontratës së huase kalon e drejta e pronësisë mbi objektin e dhënë në hua nga huadhënësi tek huamarrësi. Kontrata e huasë mund të jetë me ose pa shpërblim. Shpërblimi në këtë kontratë quhet ndryshe kamatë ose interes.

Huaja është një kontratë reale që do të thotë që kjo kontratë hynë në fuqi në çastin e dorëzimit të sendit ose të të hollave dhe kjo kontratë ka në objekt vetëm të hollat ose sendet e përcaktuara në gjini të cilat duhet të jenë të konsumueshme pra të përdoren krejtësisht nga huamarrësi i cili duhet të ktheje sende të tjera po të të njëjtit lloji të së njetës sasi dhe cilesi.

Në praktikë kontrata e huasë sigurohet nëpërmet hipotekës ose dorëzanisë. “Hipoteka është mjeti më i sigurt që garanton shlyerjen e një detyrimi në favor të kreditorit.”

Në këtë mënyrë interesat e kreditorit hipotekar nuk rrezikohen nga ekzistenca e kreditorëve të tjerë. Nga ana tjetër kreditori nuk rrezikohet as nga paaftësia paguese e mëvonshme e debitorit dhe as nga tjetërsimi i pasurisë së hipotekuar, sepse ai ka të drejtë të paguhet nga vlefta e sendit lënë në hipotekë edhe sikur sendi të kalojë në pronësi të personave të tretë. Për këto kredi është karakteristikë vendosja e hipotekës ligjore.

Sipas nenit 560 të Kodit Civil “Hipoteka është një e drejtë reale që vihet mbi pasurinë e debitorit ose të një të treti, në dobi të kreditorit, për të siguruar përmbushjen e një detyrimi”.

Hipoteka vendoset me kontratë perpara noterit ose sipas ligjit dhe siguron kredinë për aq sa kjo do të jetë në kohën e shlyerjes së saj, duke përfshirë edhe kamatat, shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit, si dhe shpenzimet e bëra për nxjerrjen e kredisë.

Kur si garanci hipotekore është vënë një pronë në bashkëpronësi, garanci është vetëm pjesa takuese e personit që ka vënë garancinë. Garancia hipotekore regjistrohet në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke vendosur shënimin përkatës.

Kur për të njëtin debitor dhe për të njëjtën pronë vendosen shumë garanci hipotekore ato kanë rradhën e preferencës.

Përveç hipotekës një tjetër mjet për ti siguruar kreditorit detyrimin është edhe dorëzania.

Sipas përcaktimit të Kodit Civil, dorëzania është një veprim juridik me të cilën një person (dorëzanësi), detyrohet t’i sigurojë kreditorit ekzekutimin e detyrimit të një personi të tretë (debitori kryesor).

Dorëzania është një mjet personal për sigurimin e detyrimit prandaj, me anë të saj dorëzanësi i detyrohet kreditorit se ka për të paguar detyrimin nëse debitori nuk ka për ta ekzekutuar atë.

Kontrata lidhet midis kreditorit dhe dorëzanit dhe për pasojë nuk është i nevojshëm pëlqimi i debitorit, pasi ai është person i tretë në kontratën e dorëzanisë.

Qellimi i dorezanise eshte krijimi i nje burimi te vecante ekonomik per kreditorin, i orientuar drejt pasurise se dorezanesit me qellim realizimin e kredise se tij.

Në praktikë shpesh hasen probleme të cilat mund të thuhet se janë evazive në ligj dhe kanë nevojë për specifikim të mëtejshëm nga ligjvënësi.

Dorëzania si rregull shuhet me shlyerjen e detyrimit kryesor. Në ligj janë përcaktuar dhe rastet kur dorëzania shuhet pavarësisht se detyrimi kryesor ende është i kërkueshëm dhe nuk i është shlyer kreditorit.

Rastet e shuarjes së dorëzanisë parashikohen nga neni 600 i Kodit Civil, në të cilin parashikohet se “Dorëzania shuhet në qoftë se kreditori nuk ka ngritur padi kundër dorëzanësit brenda gjashtë muajve nga dita e mbarimit të afatit të ekzekutimit të detyrimit”. Paragrafi i dytë i nenit 600 thotë “Kur afati i ekzekutimit të detyrimit nuk është caktuar as në kontratën e dorëzanisë, as në një marrëveshje tjetër, dorëzania shuhet me kalimin e një viti nga dita e lidhjes së kontratës së dorëzanisë”.

Siç shihet qartë nga parashikimet ligjore, i vetmi mjet me të cilin kreditori mund ti drejtohet dorëzanësit për të ekzekutuar detyrimin ndaj këtij të fundit është padia, brenda afatit gjashtë mujor nga dita e mbarimit të afatit të ekzekutimit ose brenda afatit një vjeçar, kur afati i ekzekutimit të detyrimit nuk është i përcaktuar.

Gabimisht gjatë procesit të ekezekutimit të detyrimeve (më shpesh të kredive bankare me probleme) përmbaruesit i shikojnë debitorët dhe dorëzanësit si një subjekt të vetëm ndaj të cilit ata duhet të ekezkutojnë urdhërin e ekzekutimit, të lëshuar nga gjykata. Kjo praktikë e përmbaruesve është e gabuar dhe asaj duhet ti jepet fund, pasi një urdhër ekzekutimi i nxjerrë për një detyrim të caktuar (p.sh, një kontratë kredie bankare) nuk nënkupton që ekzekutimi të kryhet automatikish si ndaj debitorit dhe ndaj dorëzanësit.

Dorëzania duke qënë një marrëdhënie e ndryshme nga marrëdhënia kryesore, kreditor-debitor, i nënshtrohet parashikimeve të tjera ligjore, siç është përmendur më lart.

Ngelet detyre e institucioneve të ndryshme, të tilla si Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore, të nxjerrin udhëzime, apo të organizojnë trajnime të ndryshme, për të drejtuar përmbaruesit në një proces sa më të rregullt dhe konform normave procedurale, si dhe njëkohësisht për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve nga proceset abuzive të cilat shpesh i ngarkojnë këta të fundit me kosto të panevojshme.

*Avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Dega Vendore Tiranë

Artikulli i mëparshëmMe prerje në fyt/ Gjendet e pajetë 47-vjeçarja në Malësinë e Madhe, dyshohet se është dhunuar deri në vdekje
Artikulli i radhësGara thelbësore e programeve