Meta i dërgon mesazh Ramës: Mjerë kush del para trenit të 25 prillit

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatet e vendit dhe zgjedhjet të sjellin një përmbysje të shumëpritur demokratike.

“Mjerë kush i del përpara trenit të 25 prillit? Është një mesazh i qartë, vendi ka humbur kaq shumë kohë dhe po kaq shumë energji. Ka humbur kaq shumë rini, që ka emigruar dhe tani nuk mund të sakrifikohet më asnjë sekondë, për pushtetin dhe për interesin e cilido. Jam i sigurt që mesazhi i 25 prillit do të jetë një mesazh historik” – tha Meta gjatë një interviste për TV lokal “Sot 7”.

Kreu i shtetit thekson se mesazhet e ambasadores amerikane për kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin, janë shqetësuese.

“Por përse e bëmë ligjin e dekriminalizimit? Pikërisht për të hequr nga politika dhe vendimmarrja të gjithë ata deputetë dhe Kryetarë të Bashkive të cilët ishin me 7 apo me 8 emra dhe të cilët kishin atë të kaluar të errët, që të gjithë shqiptarët e dinë. Mesazhi im ka qenë: 25 prilli është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik, për rivendosjen e legjitimiteti demokratik të të gjithë institucioneve.

Është shumë e rëndësishme, që partitë jo vetëm të kontribuojnë për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe të përfaqësohen me figura të denja dhe pa probleme me dekriminalizimin, apo edhe me ata, që kanë abuzuar me pushtetin. Këtë gjykim sigurisht do ta bëj vetë sovrani. Unë kam një votë në ditën e votimeve, për të zgjedhur një parti apo një kandidat të caktuar edhe kjo është e fshehtë.

Njerëzit janë lodhur nga deformimi i përfaqësimit të tyre dhe i shndërrimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera në grupe të “fortësh” apo në klube arrogantësh poshtërues për qytetarin e thjeshtë. Ky është një shqetësim i madh, dhe jo më kot ne kemi bërë një ligj për dekriminalizim. Pra, për të parandaluar elementë me të kaluar kriminale për të qenë në politikë dhe për ta marr peng politikën” – tha Meta.

Artikulli i mëparshëmShpëtim Idrizi e dredh sërish, pasi Basha e la jashtë listave të PD, kreu i çamëve i kërkon lëmoshë Ramës për zgjedhjet e 25 prillit
Artikulli i radhësPagat në Shqipëri/ Tirana më të lartat, Lezha më të ulëtat