E ardhmja e Lionel Messit është e destinuar të bëjë shumë zhurmë, pritet të jetë emri më i nxehtë në merkaton e verës, kohë në të cilën i skadon edhe kontrata me Barcelonën. Në javët e fundit janë shtuar edhe më shumë zërat që e lidhin me një transferim tek PSG, për të ndezur edhe më shumë këtë diskutim ka menduar “France Football”. Prestigjiozja franceze ka vendosur “pleshtin” në faqen e parë, në sfond “Parku i Princave” dhe i veshur me fanellën e PSG, një zgjedhje kjo që nuk ka nevojë për shumë koment. Në Francë janë të bindur se presidenti Al-Khelaifi ka nisur prej kohësh të punën për të vënë në jetë këtë transferim, pa frikë mund të konsiderohet si lëvizja më e bujshme në merkato. Në këto negociata janë përfshirë shumë aktorë, Di Maria nga njëra anë, Neymar nga ana tjetër, por dhe vetë trajneri Pochettino, të tre janë miq shumë të mirë të Leo Messit. Ky është një diskutim në rrafshin miqësorë por pengesa më e madhe mbetet ajo ekonomike. Messi ka një kontratë gjigande, mbi 70 milion euro neto në sezon, shifra që trembin edhe sheikët e PSG në këtë kohë të vështirë financiare.
Gjithnjë sipas “France Football”, drejtuesit e klubit parisien po studiojnë mundësinë e një pagese në stilin Beckham, ku një pjesë e mire e pagës do të sigurohet nga marketingut, të drejtat e imazhit etj. Nëse nga Parisi do të largohet Mbappe atëherë paga e Messit nuk do të ishte një problem. Ndikimi që Messi do të kishte në klubin e PSG do të ishte jashtëzakonisht shumë i madh, vetëm ideja që argjentinasi mund të transferohet në Paris ka bërë që tifozët por dhe trajneri Pochettino të ëndërrojnë për gjëra të mëdha.