Eurostat: Net-qëndrimet e turistëve në Shqipëri ranë 21% në pandemi, korriku e gushti rezistuan

0

Net-qëndrimet e turistëve në njësitë akomoduese turistike në vend (hotele, njësi pushimi dhe akomodime të tjera për qëndrim të shkurtër; kampingje, parqe rekreative automjetesh dhe parqe rimorkio) shënuan një rënie prej 20% gjatë mars-shtator 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e net-qëndrimit u publikuan nga Eurostat.

Tkurrja është e lehtë po të mbahet në konsideratë që 2020-a ka qenë viti më i keq për turizmin dhe udhëtimet për shkak të pandemisë.

Shifrat e Eurostat tregojnë se në mars, muaji i parë kur nisën kufizimet e udhëtimeve, net-qëndrimet ranë me 74%. Në prill, kur gjithçka ishte e mbyllur, kishte zero net-qëndrime. Në maj ky tregues ra me 30% në krahasim me majin e një viti më parë.

Qershori, që përkon me fillimin e verës, shfaqi shenja gjallërimi, me net-qëndrimet që ranë me 26%.

Muajt më të mirë ishin korriku dhe gushti, të ndikuara kryesisht nga ardhja e turistëve nga Kosova, të cilët zgjodhën më së shumti hotelet për akomodim, si për shkak të ofertave të lira ashtu dhe kufizimit të njësive private akomoduese në zonën e plazhit të Durrësit, nga dëmtimet e tërmetit. Në korrik net-qëndrimet shënuan rritje për herë të parë pas pandemisë me 3.6%, duke arritur në gati 186 mijë, ndërsa në gusht u tkurrën me rreth 6%.

Në shtator, trendi iu rikthye tkurrjes së fortë, me një rënie prej gati 40%.

Eurostat raporton se në Bashkimin Europian, turizmi ishte ndër industritë e goditura rëndë nga kriza e COVID-19. Rëniet e mprehta në mars dhe prill 2020 u pasuan nga vetëm një rikuperim i pjesshëm gjatë verës dhe ulje të mëtejshme në muajt që pasuan. Turizmi i brendshëm u ndikua më pak se turizmi i huaj. Në gjithë Bashkimin Europian, net-qëndrimet në akomodimet turistike ranë me 40%, me bazë vjetore për periudhën mars -shtator 2020./MONITOR

Artikulli i mëparshëmKreditë me probleme zbresin në 8.11%, niveli më i ulët që nga viti 2008, pritet rritja këtë vit
Artikulli i radhësÇmimet e naftës rriten përsëri në nivelet para-pandemike. Bursa për datën 10 Shkurt 2021