Komiteti Teknik i Ekspertëve gjatë një konference live për mediat kanë njoftuar disa ndryshime në masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Pas njoftimit të ndalimit të lëvizjes pas orës 20:00, Komiteti ka dhënë një njoftim për sistemin arsimor. Nga ministria njoftohet se është vendosur që në bashkitë me rrezik të lartë në shkollat e mesme, mësimi të kalojë online.
“Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt. Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë”, tha Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.