Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua sot në Durrës me përfaqësuesit kryesorë të biznesit të turizmit në këtë rajon për të shpjeguar Programin Shqipëria Fiton për Turizmin.
Kreu i opozitës u shpjegoi bizneseve efektet që do të ketë ky angazhim i qeverisë së tij pas 25 prillit për të gjithë turizmin në vend.
“Për fat të keq, – tha Basha, – sot është dita e parë e masave të reja shtrënguese që fillojnë me kufizimin e orarit dhe një nga shqetësimet kryesore, pa diskutim është fati i turizmit dhe i gjithë industrisë dhe i degëve të lidhura me të gjatë muajve që vijnë.
Megjithatë, sot jam në mesin tuaj për të diskutuar jo thjeshtë për problemet e shkaktuara dhe të thelluara nga pandemia dhe mbartjen e këtyre problemeve gjatë sezonit të ardhshëm turistik, por mbi të gjitha të flasim për një zgjidhje afatmesme dhe afatgjatë për shumë prej këtyre problemeve të akumuluara që janë pjesë e planit që ne shpalosëm dhe bëmë publik dje.
Siç e keni ndjekur, një pjesë e madhe të propozimeve tuaja gjatë dialogut që kemi pasur gjatë një viti e gjysmë, pothuajse dy vite, janë reflektuar në këtë plan.
Pa diskutim që turizmi ka marrë një rol kryesor në programin tonë, për arsyen e thjesht dhe të qartë, sepse përbën një prioritet kombëtar sa i përket objektivit tonë të rritjes ekonomike dhe të shumëfishimit të mundësive për të punësuar njerëzit dhe për të siguruar punonjësit me paga dinjitoze. Merita kryesore këtu është e juaja, është e operatorëve turistik që pavarësisht prej situatës së vështirë, mungesës së mbështetjes dhe në shumë raste të politikave të gabuara dhe zbatimit akoma më të gabuar të këtyre politikave, ja keni dalë që në një kohë relativisht të shkurtër ta vendosni Shqipërinë në hartën e turizmit. Por kjo nuk mjafton.
Të gjithë e dimë që sfidat me të cilat ju përballeni, asnjë vend tjetër nuk i përballon pa rreshtuar ndihmën e qeverisë dhe ndihmën e shtetit në krah të operatorëve turistik, në krah të punëdhënësve të cilat janë përgjegjës drejtpërsëdrejti përmes restoranteve, hotelerisë, resorteve por dhe përmes zinxhirit të ekonomisë që tërheqin, i cili shkon thellë degë të tjera të ekonomisë, që nga transporti, transporti ajror dhe detar, transporti i brendshëm tokësor, bujqësia, agro-përpunimi e gjithë industria e shërbimeve në tërësi.
Ndaj sot jam këtu me dy nga anëtarët e ekipit që kam punuar bashkë me dhjetëra ekspertë të tjerë, në bashkëpunim dhe me shoqatat e operatorëve turistikë për të bashkëbiseduar për programin tonë, për Turizmin dhe për të hedhur së bashku disa piketa mbi të cilat nis një orë e më parë zbatimi I këtij programi, natyrisht bëhet fjalë pas 25 Prillit.
Dy çështje përpara se ta nis këtë bashkëbisedim në mënyrë të thelluar, jemi kujdesur që gjithçka i vendosur në këtë plan të jetë një angazhim i zbatueshëm.
Dëshira jonë tejkalon disa prej objektivave që kemi vendosur aty por do të ishte e padrejtë dhe e pandershme dhe një dejavu e 8 viteve të kaluara që të vinim me premtime bombastike dhe pastaj të rrinim duarkryq dhe ju të mbeteni në vend numëro siç keni mbetur këto 8 vite. Është më mirë të jemi realistë, të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin dhe ato angazhime që merren të kryen.
Po-ja të jetë po, angazhimi të përmbushet dhe pa diskutim rritja ekonomike, zhvillimi ekonomik në çdo sektor dhe në veçanti në sektorin e Turizmit hap pastaj të gjitha mundësitë që të kalojmë edhe përtej këtyre objektivave. Në rrafshin e objektivave të drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me turizmin, synimi kryesor është që brenda 4 viteve industria të ketë një rritje nga 8 në 10% dhe këtu pa diskutim përjashtojmë pjesën e udhëtimit, që është pothuajse edhe njëherë kaq.
Flasim vetëm për turizmin dhe jo për udhëtimin, se bashkë me udhëtimin na shkon 22%.
Në praktikë kjo do të thotë, të dyfishojmë numrin e të punësuarëve në sektor. Në praktikë kjo do të thotë synojmë një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti. Këto janë objektivat.
Instrumentet sesi duhet bërë kjo.
Ne kemi shpalosur disa prej këtyre instrumentave dhe sot mund të diskutojmë në detaje edhe të tjera dhe proceset se si do i avancojmë, por një nga instrumentat është taksa 6% që duhet të zbatohet për të gjithë operatorët turistikë, e kam fjalën për TVSH-në, tatimin mbi vlerën e shtuar.
Ky instrument së bashku me një mbështetje të fuqishme financiare, me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore.
Për të tërhequr në bashkëpunim me ju dhe drejt bashkëpunimit me ju agjensitë më të mëdha, operatorët më të mëdhenj turistikë për të diversifikuar tregun në veçanti në ato zona të cilat i kemi të paprekura ose pak të prekura dhe që kanë një potencial të madh.
Këto nuk do të jenë më thjesht objektiva individuale apo të shoqatave të ndryshme të sektorit por do jenë objektiva të përbashkëta të qeverisë së ardhshme dhe të gjithë sektorit nga operatori individual tek shoqatat e sektorit me të cilat dialogu do të jetë i përhershëm dhe vendimmarrja do të jetë transparente