Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sekuestrimit të një shume të madhe parash në banesën dhe në zyrën e mjekut të QSUT, Edvin Prifti, pasi u zbulua nga përgjimet në Gjykatën e Krujës.
Në reagimin e tij, Rama deklaroi se mjekut iu gjetën paratë e dynjasë, ndërsa e cilësoi lajm të mirë për sistemin e drejtësisë sekuestrimin e kësaj shume dhe pezullimin e mjekut Prifti.
“Bashkë me gjykatësen u arrestua një mjek, që iu gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, sepse kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë. Në rastin e mjekut ka pasur një denoncim, që e ka përcjellë drejtori i spitalit në sistem. Dhe kështu gjërat fillojnë e vijnë hap pas hapi. Nuk ka shkop magjik”, tha Rama.