Policia e mbajti të fshehtë terrorin në Krujë duke mos dhënë asnjë njoftim për mediat nëse ishin identifikuar personat e armatosur që dhunuan 30-vjeçarin në një prej lokaleve të Krujës nën kërcënimin e armës.
Por dy orë pas publikimit të pamjeve ekskluzive nga Syri TV, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit. Në një njoftim për mediat, policia konfirmon ngjarjen e rëndë, ndërsa bën me dije se po punon për identifikimin e autorëve. Edhe pse në pamje duket qartë që autorët mbanin në dorë kallashnikovë dhe pistoleta, policia shprehet se e ka të dyshimtë nëse autorët ishin të armatosur.
“Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në media, ku shfaqen disa persona duke dhunuar një shtetas në një lokal, ju sqarojmë se: Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, në ambientin e një lokali në Fushë Krujë, kanë hyrë disa persona ende të paidentifikuar (dyshohet të armatosur), të cilët kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në kokë shtetasit E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në banesën e tij,” thuhet në njoftim.
Më tej policia njofton se 30-vjeçari ka bërë edhe kallëzim penal, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve.
Por policia nuk jep detaje nëse ka persona të shoqëruar për këtë ngjarje të rëndë, apo minimalisht nëse janë marrë në pyetje klientët e lokalit që ishin të pranishëm në atë moment në lokal dhe duken qartësisht në pamje.