Ndërkohë që kanë kaluar gati 10 muaj nga ngjarja tronditëse në Kombinat ku nënë e bijë u vetësakrifikuan në emër të besimit të tyre, gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se çfarë ka ndodhur me të mbijetuarën e vetme, Blera Josifin.
Ajo qëndroi për disa kohë në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, në të cilën u zbulua nga policia. Blerta Josifi dalëngadalë po i rikthehet jetës normale. Afro një muaj më parë, ajo është punësuar si arkiviste pranë Arkivit të Shtetit, ndërsa po qëndron në banesën ku humbi nënën dhe motrën.
“Me tezen e saj është shoqëruar një 3 apo 4 herë që e kam parë unë. Është e qetë. Këtu lart se kam parë të ngjitet.”, tha banori i zonës. Ndërkohë pyetjes nëse ia ka idenë nëse është e punësuar, banori tha; “Për punësim nuk besoj se është në gjendje, të kalojë gjithë atë fatkeqësi.”.
Psikologia Lorela Garuli shprehet se individë që kalojnë trauma të tilla duan një kohë të gjatë që të mund të trajtohen. Garuli thotë se punësimi, është një mënyrë e mirë për rehabilitimin e këtyre individëve, por thekson se duhet të jenë nën kujdesin e profesionistëve.
Ngjarja e Kombinatit, që tronditi mbarë opinionin publik është ende nën hetim nga prokuroria. Ajo çfarë dihet nga hetimet e deritanishme është se Anisa Josifi qëndroi e vdekur në banesë për 15 muaj, pasi nëna dhe motra prisnin që ajo të ringjallej.