Vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është gati 99 për qind efektive për parandalimin e sëmurjes serioze apo vdekjes si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Izrael, teksa ka ofruar disa të dhëna pas vaksinimit të një pjese të popullsisë.Izraeli është duke udhëhequr në botë, në garën për vaksinim pasi deri tani një dozë të vaksinës së Pfizer/BioNTech, ua ka dhënë gati gjysmës së popullsisë prej 9 milionë banorëve.Rreth 2.9 milionë banorë izraelitë kanë marrë të dyja dozat e vaksinave.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të dhënat kanë treguar se vaksina është 98.9 për qind efektive në parandalim të vdekjes dhe 99.2 për qind efektive kundër sëmurjes serioze, në mesin e atyre që kanë marrë të dyja dozat.
Izraeli po synon të gjithë qytetarët e vet të moshës mbi 16-vjeçare deri në fund të muajit mars.
Koronavirusi po vazhdon të përhapet në Izrael, kryesisht nga prezenca e variantit britanik të koronavirusit.
Mirëpo përmes fushatës së vaksinimit, ky shtet vazhdon të marrë hapa për të dalë nga izolimi i fundit.
Më 21 shkurt, dyqanet, qendrat tregtare, palestrat, disa shkolla të mesme dhe shërbime tjera publike, kanë nisur punën sërish.
Këto zhvillime kanë ndodhur pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka publikuar më 20 shkurt planet që parashohin se njerëzit, të cilët janë vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të marrin pjesë në ngjarje kulturore, të udhëtojnë jashtë vendit dhe të vizitojnë palestra dhe restorante.
Natanyahu ka thënë se qeveria nuk mund të mbajë njerëzit larg klinikave mjekësore, farmacive dhe dyqaneve ushqimore.
Mirëpo shërbimet tjera, sipas tij, do t’iu mundësohen vetëm personave që kanë marrë dy doza të vaksinës./ REL