Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar të mërkurën Ligjin e ri për sigurimin e makinave, i cili parashikon rritje të dëmshpërblimeve nga ana e kompanive, shkurtim të afateve të shlyerjes së dëmeve, por edhe marrëveshjeve mes palëve të përfshira në aksidente për të njohur dëmet.
Risitë e ligjit të ri u prezantuan para deputetëve nga Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Ligji i ri synon edhe të ulë numrin e mjeteve të pasiguruara në qarkullim, duke pamundësuar kolaudimin e tyre nëse ato nuk rezultojnë të kenë paguar policën e sigurimit.
Projektligji i sigurimit të detyrueshëm synon t’i japë zgjidhje problemeve të hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual, përafrimin e mëtejshëm me direktivat evropiane, përshtatjen me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të sigurimeve, si dhe të drejtën për të aplikuar sistemin Bonus-Malus.