Nga Max Hastings
Bota duartroket shkencëtarët që kanë krijuar vaksinat për të shpëtuar njerëzimin nga Covid-19. Një gjë është e sigurt për të ardhmen tonë: Nuk do të ketë mungesa fondesh për kërkime mjekësore gjatë pandemive.
Tani, vini re një kontradiktë. Lufta është edhe një mallkim, përgjegjëse për vdekje të patreguara. Njerëzit duhet të bëjnë gjithçka munden për ta zbutur ndikimin e saj. Dhe, edhe në rast se shkencëtarët nuk mund të premtojnë një vaksinë, është e qartë që vendi i duhur për të nisur punën kundër konflikteve të së ardhmes është duke studiuar shkaqet dhe ngjarjet e konflikteve të kaluar.
E megjithatë në qendrat studimore kudo në Amerikën Veriore studimi i të kaluarës në përgjithësi dhe i luftërave në veçanti është duke u eklipsuar në mënyrë spektakolare. Historia tani ka numrin më të vogël të të diplomuarve që nga 1950. Ndërsa më 1970, 6% e studentëve meshkuj amerikanë dhe 5% femra diplomoheshin në histori, tani përqindjet respektove janë më pak se 2 dhe 1.
Fredrik Logevall, historian i shquar në Harvard dhe autor i veprave influencuese mbi Vietnamin, bashkë me një biografi të re për John F. Kennedy, më vuri në dukje se sa e çuditshme është kjo, duke ditur që SHBA është vendi me buxhetin ushtarak shumë më të madh se kushdo tjetër në botë. ‘Se si ndodh kjo dhe çfarë domethënieje ka për Amerikën dhe botën është pa diskutim e një rëndësie historike të pakrahasueshme’, thotë Logevall. ‘E megjithatë nuk është në prioritetet kërkimore midis historianëve akademikë të këtij vendi’.
Zmbrapsja nga historia e luftës mund të vijë jo aq nga mosdëshira e studentëve për të eksploruar të kaluarën e dhunshme, por nga ngurrimi i akademikëve për t’ua mësuar atë, apo edhe nga ngurrimi për të lejuar që universitetet e tyre të japin kurse të tilla. Disa e quajnë lëndën ‘warnograhpy’ (e ngjashme fonetikisht me pornografi) dhe neveria shkon deri në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Më pak se gjysma e të gjitha katedrave të historisë tani punësojnë një historian diplomacie, krahasur me 85% më 1975. Për sa u përket luftërave, teksa studiuesit e vjetër dalin në pension, shumë nuk zëvendësohen, duke bërë një ripërcaktim rolesh.
Një historian i njohur më ka treguar kohët e fundit për një të ri që studionte për shkenca në Harvard dhe donte të diplomohej për shkenca njerëzore në histori, përfshirë Luftën Civile Amerikane. Atij iu ofrua vetëm një kurs, i cili i adresohej historisë së njerëzve dhe kafshëve të tyre të preferuara.
Paul Kennedy i Universitetit Yale, autor i një prej librave historikë më të shitur të të gjitha kohëve, ‘Ngjitja dhe rënia e superfuqive’, është midis shumë historianëve që janë kundër asaj që po ndodh, ose më mirë që nuk po ndodh. Ai më vuri në dukje se ndërsa disa universitete publike si Ohio State e Kansas State, kanë programe të mira në historinë e luftës, ‘lënda mungon në elitën e universiteteve’.
‘A mund t’i imagjinosh universitetet në Chicago, Berkeley, Princeton të kenë departamente për studimet e luftërave?’, më pyeti. ‘Historia ushtarake është lënda më e papreferuar mes lëndëve ‘me burra të bardhë të vdekur’ dhe është reduktuar shumë edhe mësimi i historisë diplomatike, koloniale dhe politike evropiane’.
Kennedy vë në dukje se studimet e luftës janë shumë të popullarizuara midis studentëve, ish-stuentëve dhe donatorëve, ‘por problemi kryesor është tek fakulteti – ku ndoshta vetëm një grup i vogël është haptazi armiqësor, por një grup më i madh nuk mendon se kjo fushë është e rëndësishme sa duhet’.
Harvard ofron pak kurse historie që trajtojnë kryesisht luftërat e mëdha të kohëve moderne. Shumë fakultete u japin përparësi lëndëve të tilla si kultura, raca dhe etnia. Margaret MacMillan, nga Universiteti i Torontos dhe Oksfordit, vëren se lufta është një nga ngjarjet e mëdha kataklizmike, krahas revolucionit, urisë dhe kolapsit financiar, që mund të ndryshojë historinë.
Si autore e bestsellerit ‘Paqebërësit’, një studim epokal i konferencës së Versajës në 1919, ajo ka shkruar për rënien e kurseve universitare mbi konfliktin: ‘Tmerri ynë ndaj fenomenit në vetvete ka ndikuar në gatishmërinë për ta trajtuar atë si një temë serioze për bursë. Interesimi për luftën ngatërrohet në një farë mënyre me aprovimin e saj’.
Baltëhedhësit pa mend e kanë sulmuar atë si luftëdashëse për shkak të vënies në dukje që konfliktet mund të sjellin përfitime shkencore ose shoqërore për njerëzimin.
Tami Davis Biddle, profesor në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, ka shkruar ‘fatkeqësisht, shumë në komunitetin akademik supozojnë se historia ushtarake ka të bëjë thjesht me burra të fuqishëm – kryesisht burra të bardhë – që luftojnë njëri-tjetrin dhe / ose shtypin grupe të pambrojtura.’
Universitetet justifikohen për shmangien e historisë duke përmendur nevojën për të adresuar tema bashkëkohore të tilla si emocionet, ushqimi dhe ndryshimi i klimës. Disa gjithashtu nxisin që studentët të besojnë se ata mund t’u shërbejnë më mirë interesave të tyre – dhe të justifikojnë kostot e shkollimit – duke zgjedhur drejtime profesionale që do të rrisin punësimin e tyre. Megjithatë Vietnami i Logevall është një nga kurset më të njohura të historisë në Harvard.
Historia shet në mënyrë të jashtëzakonshme në libraritë e botës. Unë jam autor i një duzine punimesh në lidhje me konfliktet dhe kritiku im më i ashpër do të përpiqej mjaft për të gjetur sadopak entuziazëm për konfliktet në to. Shpesh citoj një hero të rezistencës norvegjeze gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili më 1948 shkruante: ‘Megjithëse luftërat sjellin aventura që trazojnë zemrën, natyra e vërtetë e luftës përbëhet nga tragjedi dhe sakrifica të panumërta personale, krejtësisht të këqija e që nuk shpaguhen nga lavdia’.
Këto fjalë nuk janë argument për pacifizëm. Shoqëritë tona duhet të jenë të gatshme, kur të jetë e nevojshme, të mbrojnë veten me armë. Por presidentët dhe kryeministrat mund të marrin më pak vendime kinetike – të hapin zjarr – nëse do t’i njihnin më mirë implikimet.
Para se të përdorin forcën, qeveritë, ashtu si dhe komandantët ushtarakë, gjithmonë duhet të pyesin: ‘Cilat janë objektivat tona? A janë të arritshme? ‘. Në Vietnam, Irak, Afganistan, Libi këto pyetje nuk u bënë ose nuk morën përgjigjet e duhura, me pasoja që tashmë dihen. Qeveritë i nënshtrohen asaj që unë e quaj strategji gjestesh.
Një pjesë e problemit qëndron te ushtarakët, shpesh tepër të zellshëm për të provuar ‘dobinë e forcës’ apo më mirë për të justifikuar buxhetet e tyre të jashtëzakonshme. Megjithatë, më shpesh fajin e kanë politikanët injorantë në pazotësinë e shfrytëzimit të F-35, raketave, dronëve e trupave si levë për të arritur rezultatin e dëshiruar politik.
Është e jashtëzakonshme që kaq shumë universitete të mëdha amerikane heqin dorë, për shembull, nga studimi i përvojës në Indokinë, e cila mund të ndihmojë një brez të ri të mos e përjetojë sërish atë. Gjeneral Marin Walt Boomer, një veteriner i shquar i Vietnamit, më tha pesë vjet më parë, kur isha duke studiuar atë luftë: ‘Më shqetëson fakti që nuk mësuam shumë. Nëse do të kishim nxjerrë mësime, nuk do të kishim pushtuar Irakun .’
Biddle ka shkruar: ‘Ushtria amerikane nuk e dërgon veten në luftë. Zgjedhjet në lidhje me luftën dhe paqen bëhen nga civilët – të cilëve, përherë e më tepërm iu mungon tabloja historike ose analitike për t’i udhëhequr ata. Ata dinë pak ose aspak për kërkesat e traditës së Luftës së Drejtë… kërkesat logjistike, gjeografike dhe fizike të operacioneve ushtarake moderne’.
Ish-kryeministri britanik David Cameron nuk është budalla. Por ai mund të kishte bërë më pak rrëmujë në politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar nëse do të kishte pranuar këshillat e disa njerëzve që e kuptonin më mirë luftën dhe botën myslimane sesa klika e keqinformuar në Downing Street.
Më 2011, shefi i shtabit të mbrojtjes britanike, Gjenerali Sir David Richards, iu lut Cameronit që të mos e përziente NATO-n në Libi. Por kryeministri, në frymën e një djaloshi, dëshironte të bënte një vepër të mirë në një botë të ligë duke promovuar përmbysjen e Presidentit Muhamer Khadafi. Restoja – ndërhyrja perëndimore dhe kaosi vrasës që ka vazhduar prej asaj kohe – është fatkeqësisht histori.
Do të ishte absurde të mendoje se studimi i së kaluarës është një garanci kundër përsëritjes së gabimeve të saj. Por bota ka arsye të jetë mirënjohëse që më 1962 Presidenti Kennedy lexoi ‘Armët e Gushtit’ të Barbara Tuchman, rreth shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Në këtë mënyrë, Kennedy hyri në krizën e raketave në Kubë i vetëdijshëm për rrezikun që një shkëndijë lokale – si në Ballkan, më 1914 – mund të mbartte për një katastrofë globale.
Profesori i Oksfordit, Sir Michael Howard, i cili vdiq në vitin 2019, ishte mentori dhe miku im i ngushtë për 50 vjet, njeriu më i mençur që kam njohur ndonjëherë. Në vitet ‘50, ai krijoi Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College në Londër, i cili lulëzon edhe sot.
Më e rëndësishmja, ai ishte ndër themeluesit, më 1958, të Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike (IISS). IISS u krijuar sepse disa intelektualë të shkëlqyer në të dyja anët e Atlantikut i druheshin rrezikut të luftës. Ata hodhën poshtë arsyetimin apo dëshirën e braktisjes së njëanshme të programit bërthamor.
Ata preferuan të nxitnin mirëkuptimin midis anëtarëve të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës se konflikti bërthamor duhet të përjashtohet, sepse pasojat e tij nuk mund të ishin përfituese as për fituesin e mundshëm.
Howard përshkruan në kujtimet e tij vizitën e parë në SHBA, në pranverë të vitit 1960, ‘si një misioner në emër të Institutit’. Washingtoni iu duk një ‘kryeqytet ushtarak’ me ‘pothuajse më tepër uniforma ushtarake në rrugë se sa në Londrën e kohës së luftës’:
‘Kishte një farë eksitimi elektrik në ajër që m’u duke tmerrues. Mendova, kështu duhet të ketë qenë Evropa para 1914-ës… Dukej një popull që, pavarësisht L2B dhe Koresë, nuk kishte provuar vërtet luftë dhe perspektiva e saj iu dukej një sfidë gjallëruese. Pikërisht në atmosfera të tilla, mendova, nisin luftërat’.
Howard u alarmua edhe më shumë pasi ndoqi një leksion mbi luftën bërthamore të mbajtur nga Herman Kahn në Korporatën RAND në Santa Monica, California. Disa persona të RANDS, me të cilët u takua, diskutonin se sa kohët mund t’i duhej Los Angelesit për t’u kthyer në normalitet pas një sulmi bërthamor.
Pikërisht në këtë klimë Howard dhe akademikët që mendonin si ai promovuan debatin, në Evropë dhe Amerikë, rreth strategjisë së përgjegjshme dhe mbrojtjes. Sot, pothuajse të gjithë ata që e njohin historinë e Luftës së Ftohtë e pranojnë që të gjitha bisedat – konferencat ndërkombëtare, seminaret, dialogët zyrtarë – luajtën një rol të rëndësishëm në shmangien e një përballjeje bërthamore. Jo më kot revista e IISS, si atëherë ashtu edhe tani quhet Survival (Mbijetesa).
Disa vjet më parë, departamentit të historisë në provincat bregdetare kanadeze iu ofrua një katedër plotësisht e financuar për historinë detare, dhe e refuzuan. Paul Kennedy më ka thënë kohët e fundit se është i mahnitur nga mungesa e interesimit në çështjet detare në universitetet amerikane, ‘duke ditur që ne jemi me distancë të madhe fuqia më e madhe detare në botë dhe skena detare globale po nxehet së tepërmi’.
Shumë, madje shumica e institucioneve akademike në kontinent janë të infektuar me një virus intelektual që i bën të refuzojnë studimin e lëndëve që disa anëtarë të fakulteteve i shohin si të pakëndshme. Kjo është tradhti e parimeve të kureshtjes, ashpërsisë dhe kurajës që duhet të mbështesin të gjitha bursat serioze.
MacMillan pyet: ‘A duam vërtet qytetarë që nuk kanë njohuri se si erdhën në jetë vlerat, strukturat tona politike dhe ekonomike? A duam të kemi përsëri një president si Donald Trump në krye të vendit më të fuqishëm në botë, i cili deklaroi se Bashkimi Sovjetik e pushtoi Afganistanin në përgjigje të sulmeve terroriste dhe kishte të drejtë të ishte atje?’.
Për krahasim, në Britani, historia vazhdon të lulëzojë. Pothuajse i njëjti numër studentësh sa në juridik nisin studimet në histori. Studimet pasuniversitare janë veçanërisht të njohura. Rreth 30 institucione ofrojnë programe pasuniversitare për studimin e luftërave. Në Evropë, programet e Universitetit të Stokholmit dhe Leiden janë veçanërisht të respektuar. Duket qartë që problemi – por mund ta quajmë edhe neveria – është dukuri e Amerikës Veriore.
Universitetet e mëdhenj të Amerikës Veriore duhet të kenë turp për mungesën e kurajës. Planeti ynë nuk ka më tepër shanse të heqë luftërat se sa pandemitë. Akademikët që përbuzin studimin e luftërave po veprojnë si struci. Kokat e tyre nuk duken më elegante të zhytura në rërë.