Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë nga qelia infermieren e spitalit ‘Shefqet Ndroqi”, Sidorela Çela dhe sanitaren Rukije Hoxha. Apeli ka pranuar ankimin e Çelës dhe Hoxhës, të cilat akuzoheshin se kanë bashkëpunuar me sanitaren Tirë Alldervishi në skandalin që përfshiu spitalin Covid2, për ndryshim të masës së sigurisë.
Nga arresti me burg, infermierja Çela dhe sanitarja Hoxha janë lënë në masën ‘detyrim paraqitje’. Sipas gjykatës, Çela dhe Hoxha nuk konsiderohen persona që kanë mundësi të shkatërrojnë provat e mbledhura në procesit hetimor dhe për këtë arsye, mund të gjykohen në masën “detyrim paraqitje”.
Ndërsa, për dy bashkëpunëtoret e tjera, infermieret Mira Bushi dhe Sheqerie Koci, gjykata ka vendosur mospranim ankimi, duke i lënë sërish në qeli.
Gjykata e Shkallës së Parë i la 45 ditë në qeli 4 të arrestuarat tek COVID2. Ato akuzohen se kanë bashkëpunuar me Tire Alldervishin por kishin fshirë të gjitha bisedat që kishin me sanitaren, e cila hapi ‘siparin’ e arrestimeve në këtë spital.
Alldervishi ndodhet gjithashtu pas hekurave. Ajo u vu në pranga pasi vajza e një pacienteje e denoncoi publikisht në emisionin “Stop” se i kishte marrë plot tetë milionë lekë duke u shtirur si infermiere. Hetimet zbuluan edhe bashkëpunëtoret e Alldervishit.