Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, Lulzim Basha dhe ekspertët e PD për energjinë prezantuan sot programin “Shqipëria fiton energjinë”.
Basha theksoi se në programin e PD-së parashikohet ulja e faturës së energjisë elektrike për 70 përqind të familjeve shqiptare. Ai shpjegoi se në program parashikohet ngritja e një sistemi faturimi me dy fasha, duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Basha gjithashtu premtoi liberalizim të tregut të energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. “Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.” – premtoi Lulzim Basha, i cili vazhdoi duke premtuar bashkim të tregjeve të energjisë me Kosovën dhe lidhjen e gazsjellësit TAP me TEC-in e Vlorës.
“Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut.” – u shpreh Basha.
“Ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën.” – shtoi kryedemokrati.