Midis tre personave të arrestuar nga policia për tentativën e vrasjes së biznesmenit Gjon Mena në Kamzë, në pranga ka përfunduar edhe Gjergji Cukali, i njohur për një sërë krimesh.
Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit. Cukali besohet se është porositësi i atentatit ndaj 32-vjeçarit Gjon Mena.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.
Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.
Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.
Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë TCh ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë.Një vit më vonë, Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, ku është akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendojnë se kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.