Fitch Solutions ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2021, integrimi do përballet me sfida

0

Fitch Solutions, një njësi e inteligjencës së agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Fitch, njoftoi se ka rishikuar në ulje me 0.5 pikë përqindje parashikimin për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë për vitin 2021.

Nga 4.8% që ishte parashikimi i mëparshëm, tashmë pritet që ekonomia e vendit këtë vit të zgjerohet me 4.3%.

Më herët, Fitch Solutions kishte ulur dhe parashikimin për ecurinë ekonomike në 2020-n, nga -5.5% në -5.9% dhe ky parashikim është mbajtur dhe në raportin aktual. Sipas agjencisë, rishikimi erdhi pasi të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave treguan për një tkurrje të fortë prej -10.2% në tremujorin e dytë të vitit. Faktorë të tjerë që ndikuan në këtë rishikim në ulje janë dobësitë e rishfaqura në Eurozonë pas valës së dytë të pandemisë, çka sipas raportit do të ndikojë në ecurinë e eksporteve.

Për këtë vit Fitch Solutions parashikon që eksportet e mallrave do të rriten gjatë vitit ndërsa kërkesa nga Evropa përmirësohet, megjithëse eksportet e shërbimeve do të duan më shumë për t’u rikuperuar si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme nga Covid-19. Ndërkohë, një rënie graduale e papunësisë do të shkaktojë një rritje të moderuar të konsumit privat.

Sipas raportit, Investimet publike duket se do të jenë një pikë relativisht e fortë për rritjen e këtij viti, si rrjedhojë e financimit të projekteve të shtyra dhe aktiviteteve të rindërtimit të lidhura me tërmetin e Nëntorit 2019.

Raporti parashikon që në kahun e politikës, sondazhet e fundit sugjerojnë se Partia Socialiste në pushtet (PS) është në pozicion të mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Shqipërisë në 25 Prill. “Ne e shohim një fitore të PS si relativisht të mundshme, pjesërisht për shkak të rezultateve të sondazheve – por edhe për shkak të natyrës së sistemit politik të Shqipërisë, i cili favorizon partitë më të mëdha”, thuhet në raport.

“Një fitore e PS do të ishte shenjë e mirë për vazhdimësinë e politikës, megjithëse ne presim që ambienti politik të mbetet shumë i polarizuar, gjë që do të dëmtojë proceset e politikëbërjes”.

Fitch shton se mes progresit të kufizuar në reformat dhe ndjenjave në rritje kundër zgjerimit në pjesën më të madhe të BE-së, “ne presim që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të përballet me sfida në 2021”./MONITOR

Artikulli i mëparshëmInteresat e depozitave, shpenzimet e sektorit bankar prekën nivelin më të ulët në një dekadë
Artikulli i radhësArtikulli në mediat ndërkombëtare/ “Dritan Rexhepi është një gjeni i krimit”. Në Ekuador, padronët e rinj të drogës flasin shqip