Greqia i ka kërkuar Bashkimit Evropian të “lëvizë më shpejt duart” me bërjen gati të pasaportave të vaksinave.
Ansa shkruan se pas miratimit të “pasaportave të vaksinimt”, Greqia do të rihapë dyert për turizëm në kohë për pushimet verore.
Në një intervistë me Financial Times, Ministri grek i Turizmit, Harry Theocharis theksoi se vendosja e një çertifikate që vërteton vaksinimin duhet të ketë përparësi të menjëhershme për Bashkimin Evropian.
“Duke parë reagimin e disa vendeve ndaj propozimeve të qeverisë greke në lidhje me certifikatën e vaksinimit, ka një ndjenjë miopie. Dhe ndërsa ka shumë për të bërë për t’u përgatitur për hapjen e turizmit dhe ekonomisë, shumë vende janë përqendruar shumë në situatën aktuale. Por ne duhet të lëvizim më shpejt”, tha Theocharis.
Athina po konsideron rihapjen e kufijve të saj për britanikët që kërkojnë diellin grek para verës, duke shkuar kundër politikës së udhëheqësve evropianë.
Masa që po planifikohet nga autoritetet greke do të zbatohet vetëm për britanikët që janë vaksinuar kundër Covid-19.
Sipas Daily Mail, kjo lëvizje kundërshton pozicionin e marrë nga udhëheqësit evropianë duke kërkuar një qasje të bashkuar dhe të kujdesshme për hapjen e udhëtimeve të panevojshme jashtë bllokut.
Që nga fillimi i pandemisë deri tani, në Greqi janë regjistruar 182,783 persona me Covid, ndërsa 6,343 të tjerë kanë humbur jetën.