Interesat e depozitave, shpenzimet e sektorit bankar prekën nivelin më të ulët në një dekadë

0

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa arritën nivelin më të ulët në të paktën një dekadë për vitin 2020.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektorit bankar vitin e kaluar shpenzoi 7.6 miliardë lekë për interesa, në rënie me 6.6% krahasuar me vitin 2019. Në pjesën dërrmuese, shpenzimet e sektorit bankar për interesa lidhen me depozitat e publikut, që janë zëri me peshën dërrmuese në strukturën e detyrimeve.

Ulja e shpenzimeve për interesa tregon se vitin e kaluar bankat kanë paguar edhe më pak interesa, megjithëse depozitat vazhduan rritjen edhe gjatë vitit 2020, me një tendencë për kursim të nxitur më tej nga pasiguria që shkaktoi kriza e pandemisë Covid-19.

Në fund të vitit 2020 depozitat totale në sektorin bankar arritën në 1.29 trilionë lekë, në rritje me 7.8% krahasuar me një vit më parë. Por, ulja e shpenzimeve të bankave tregon se në vlera mesatare ato kanë paguar interesa më të ulëta gjatë vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar interesit për depozitat me maturim 12 mujor në gjithë monedhat për vitin 2020 ra në 0.41%, nga 0.49% që kishte qenë një vit më parë. Këto shifra tregojnë se përfitimet nga kursimi janë gjithnjë e më të ulëta, e megjithatë ulja e mëtejshme e normave të interesit megjithatë nuk e ka frenuar rritjen e depozitave, që ngelen instrumenti i preferuar i kursimit për shqiptarët.

Rënia e mëtejshme e interesave të depozitave është nxitur nga gjendja likuide e sektorit bankar, por edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë. Vitin e kaluar kjo politikë u bë më stimuluese, me një normë bazë në minimumin historik 0.5%, që iu shtua edhe mbështetja e pakufizuar me likuiditet për bankat tregtare.

Një faktor me ndikim edhe më të madh mund të ketë qenë zhvendosja e strukturës së depozitave gjithnjë e më shumë drejt formave më likuide. Vitin e kaluar, llogaritë dhe depozitat pa afat në lekë u rritën me një nivel rekord prej 26%, ndërsa depozitat me afat ranë me afërsisht 4%. Një zhvillim i tillë padyshim ka favorizuar uljen e shpenzimeve për interesa, sepse llogaritë dhe depozitat pa afat kanë norma interesi edhe më të ulëta krahasuar me depozitat me afat. Vitin e kaluar, interesi mesatar për llogaritë rrjedhëse të individëve në lekë ishte rreth 0.1%, ndërsa për depozitat pa afat rreth 0.2%. Në euro, normat e interesit ishin edhe më të ulëta dhe simbolike, shumë afër zeros.

Ulja e shpenzimeve për depozitat ndihmoi bankat në një rezultat neto nga interesat në përmirësim në rritje të lehtë gjatë vitit 2020. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat neto nga interesat vitin e kaluar arritën në 42.8 miliardë lekë, 2.7% më shumë krahasuar me vitin 2019./E.Shehu/MONITOR

Artikulli i mëparshëmShqipëria ndër vendet me moshën mesatare më të re të grave që lindin fëmijën e parë në Europë
Artikulli i radhësFitch Solutions ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2021, integrimi do përballet me sfida