Importuesit e mallrave të akcizës paralajmërojnë intensifikim të kërkesës për uljen e çmimit të pullave fiskale. Kostoja e paguar prej tyre është 10 herë më e lartë se në vendet e BE-së. Biznesi kërkon që shërbimi të ofrohet nga shteti me tarifë 3 dollarë për 1 mijë copë pulla. Kontrata e koncesionit, e miratuar në shkurt të 2011, ligjërisht përfundon këtë vit, por mund të shtyhet deri në 2023…
Dorina Azo
Dy milionë euro në vit është kostoja që paguan për pullat fiskale të akcizës distributori më i madh në Shqipëri, Agna dhe Alfa Group. Nëse sipërmarrja më e madhe e mallrave të akcizës do të operonte në një nga vendet e Bashkimit Europian, për këtë shërbim do të paguante 200 mijë euro në vit.
Administratori i “Agna” dhe “Alfa Group”, z. Kristo Naço, pohoi për “Monitor” se çmimet e larta të pullave fiskale dhe burokracitë e këtij shërbimi që ofron kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions” nuk kanë dhënë efekte tek informaliteti, por veçse kanë shtuar kostot për sipërmarrjen. “Pullat fiskale ishin shumë të sigurta edhe kur prodhoheshin nga Banka e Shqipërisë.
Ofrimi i këtij shërbimi prej 10 vitesh nga kompania koncesionare ‘Sicpa Security Solutions’ nuk ka ndihmuar në rritjen e aktivitetit të bizneseve, por vetëm ka shtuar kostot”. Arsyeja që importuesit, nëpërmjet një letre dërguar qeverisë, kërkuan ulje të çmimeve për pullat fiskale është kostoja 10 herë më e lartë që paguhet për një shërbim, i cili nga vendet e rajonit përfitohet me çmim shumë herë më të lirë. Në disa produkte të mallrave të akcizës, siç është birra vendase, zoti Naço shpjegon se shpenzimet që u ngarkohen bizneseve prodhuese nuk kanë asnjë sens financiar.
“Në rastin e birrave, për shembull, shpenzimet që kanë bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale janë sa 50% e detyrimit të akcizës, për njësi prodhimi. Kjo është një kosto absurde që nuk mbështetet në asnjë logjikë financiare. Ulja e çmimeve do të reduktonte një barrë të paarsyeshme për kompanitë tona dhe do të ndikonte në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.”
Kur përfundon kontrata?
Tashmë u bënë rreth 10 vite që nga miratimi i ligjit nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Sicpa Security Solutions” SA e “Sicpa Security Solutions” Albania sh.p.k., për vendosjen e pullave fiskale në mallrat që u nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike.
Në përgjigje të kërkesës zyrtare për afatin e përfundimit të koncesionit të pullave fiskale, Ministria e Financave sqaroi se: “përcaktimet lidhur me afatin dhe datën e përfundimit të saj janë të përcaktuara në nenin 3 të kontratës së koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011″. Për rrjedhojë çdo konfirmim lidhur me afatin gjykohet i panevojshëm për sa kohë që kontrata e ka të përcaktuar qartësisht atë”.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me mënyrën e ofrimit të këtij shërbimi pas përfundimit të kontratës, sqaroi se aktualisht nuk ka ndonjë iniciativë. “Megjithatë ju bëjmë me dije se, në rast të inicimit të ndonjë procedure të re për procesin e dizenjimit, prodhimit dhe menaxhimit të sistemit, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale, me qëllim lehtësimin sa më të madh të barrës fiskale të bizneseve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të angazhohet për zhvillimin e një konsultimi publik, pjesë e të cilit do të jenë të gjitha grupet e interesit që operojnë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në informimin e Ministrisë të Financave për Monitor.
Sakaq, burime nga ky institucion shpjeguan për “Monitor” se kontrata edhe mund të shtyhet deri në 2023. Nëse kompania koncesionare 10 vjet më parë nisi ofrimin e shërbimit për vendosjen e pullave fiskale te mallrat e akcizës, ky shërbim te barnat që parashikohej në kontratë, nisi zbatimin disa vite më vonë. “Ligjërisht, kontrata përfundon në shkurt të 2021, por për shkak se zbatimi i një pulle fiskale ka nisur me vonesë, kontrata e koncesionit mund të shtyhet deri në 2013, por kjo nuk është vendosur ende”, cituan burimet. Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është ngritur një komision për vlerësimin e afatit të përfundimit të kontratës dhe pritet të bëhet publik vendimi.
Presidenti i BiznesAlbania, njëkohësisht dhe anëtar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Vendase, Luan Bregasi, nënvizoi se nëse do të ketë shtyrje të kontratës, për shkak të vonesës së vendosjes së pullave te medikamentet, koncesionari duhet të rimbursojë bizneset e mallrave të akcizës për pagesat e viteve të para.
“Në dijeninë tonë, sipas ligjit, afati i përfundimit të koncesionit është në fund të shkurtit 2021. Nëse afati i koncesionit shtyhet për shkak të vendosjes së pullave fiskale te barnat më vonë se te mallrat e akcizës, kjo do të tregojë se në heshtje, ka një kontratë të miratuar me afat të zgjatur. Nëse kjo është e vërtetë, rezulton se për vitet e para, koncesionari ka punuar në mënyrë të paligjshme dhe sipërmarrësve të produkteve të akcizës duhet t’u kthehen paratë e paguara mbrapsht. Shuma që duhet të rimbursohet është rreth 50 mln euro.
Qeveria Rama erdhi në pushtet me premtimin se do të anulonte kontratat koncesionare. Kontrata nuk u prish për shkak të kostove të larta të penaliteteve që duhet të paguante shteti, siç i është shpjeguar nga qeveria sipërmarrjes. Në këtë situatë, ne e mirëkuptuam qeverinë, pavarësisht kostove të larta që kemi paguar. Nuk mund të kemi më mirëkuptim që ky koncesion të përpilohet sërish me të njëjtat tarifa”, theksoi Bregasi.
Më herët, 11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të mallrave të akcizës, në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Financave, Anila Denaj, kërkuan uljen e çmimeve të pullave fiskale. Nga krahasimi që sipërmarrësit u kanë bërë çmimeve që aplikon rajoni dhe BE-ja, rezulton se një biznes në Kosovë paguan 2,2 dollarë për 1 mijë pulla fiskale, në vendet e Bashkimit Europian paguhet 3 dollarë për 1 mijë pulla fiskale nga 24,2 dollarë që paguhet në Shqipëri për 1 mijë pulla fiskale.
Bizneset: Kompania nuk ka bërë asgjë për luftimin e informalitetit
Nga qeveria, ende nuk ka një deklaratë zyrtare për rishikimin e tarifave të pullës fiskale. Sipërmarrësit pohojnë se do të intensifikojnë reagimet, pasi siç shprehet presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, në 10 vjet i janë paguar miliona euro një kompanie që nuk ka bërë asgjë për të luftuar informalitetin në tregtimin e mallrave të akcizës.
“Kjo gjë nuk do të kalojë lehtësisht, pasi mjaft kemi paguar një operator privat që nuk bëri asgjë, përveçse mori paratë e biznesit në këto 10 vite. Kontrata koncesionare është miratuar në vitin 2011 dhe që në fillim është miratuar me principe korruptive. Së pari, kompania ‘Sicpa’ nuk kreu asnjë investim për nisjen e punës, por ato u kryen nga operatorët në kundërshtim me ligjin.
Koncesionari nuk kreu asnjë investim, veçse përfitoi në mënyrë të pandershme në 10 vite miliona euro. Kjo është një kosto e lartë që e ka paguar biznesi. Ne kërkojmë uljen e çmimit në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian. Referuar kontratës koncesionare pas përfundimit të saj, ky shërbim duhet të transferohet te shteti. Në të kundërt, kjo do të tregojë se shteti nuk kërkon t’i marrë këto para, por kërkon të lejojë ofrimin e shërbimit në mënyrë të paligjshme te privati”.
Luan Bregasi thotë se të gjithë sipërmarrësit e mallrave të akcizës kërkojnë që çmimet e pullave të rishikohen në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian dhe rajonit.
“Për sa i përket birrës vendase, në asnjë vend të botës nuk ka pullë fiskale. Kompanitë e prodhimit të birrës vendase kryen investime të larta për blerjen e pajisjeve për zbatimin e këtij regjimi, me qëllim që të vendosej pulla fiskale te birra. Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi kërkuar përjashtim nga pulla, pasi Shqipëria ka ende probleme të evazionit dhe duhet të vazhdojnë të kontrollohen, por jo me çmim kaq të lartë. Në Shqipëri, çmimi i pullave fiskale duhet të jetë 3 euro për 1 mijë copë, sa në vendet e BE-së, Kosovës dhe rajonit”, nënvizoi Presidenti i BiznesAlbania.
Luan Bregasi për korrupsionin
“Kjo gjë nuk do të kalojë lehtësisht, pasi mjaft kemi paguar një operator privat që nuk bëri asgjë, përveçse mori paratë e biznesit në këto 10 vite. Kontrata koncesionare është miratuar në vitin 2011 dhe që në fillim është miratuar me principe korruptive. Së pari, kompania ‘Sicpa’ nuk kreu asnjë investim për nisjen e punës, por ato u kryen nga operatorët në kundërshtim me ligjin. Koncesionari nuk kreu asnjë investim, veçse përfitoi në mënyrë të pandershme në 10 vite miliona euro”.
Sicpa, rreth 65 milionë euro të ardhura nga fillimi i aktivitetit
SICPA Security Solutions Albania sh.p.k, sipas bilancit të saj zyrtar, raporton të ardhura midis 7-8 milionë euro në vit, që nga 2012-a. Në total, deri në fund të vitit 2020, ajo mori të ardhura prej rreth 65 milionë eurosh. Për periudhën 2010-2015, ajo raportoi një humbje totale prej 4 milionë eurosh, ndërsa nga 2015-a ka gjeneruar fitime, që kulmuan në 2019-n, në rreth 1.7 milionë ero, me një normë para taksave prej 22%. Gjatë periudhës 2016-2019, kompania ka deklaruar në total fitime prej gati 5 milionë eurosh.
Importuesit e cigareve, të shqetësuar për informalitetin
Edhe kompanitë e tregtimit të duhanit janë të shqetësuara për kostot e larta që paguajnë prej vitesh për këtë qëllim. Përparim Tushaj, përfaqësuesi për Shqipërinë i kompanisë “Japan Tobacco International”, thotë se që në fillim, koncesioni nuk përmbushi asnjë parametër në mbrojtje të konkurrencës të pandershme. Në këto 10 vite, importi i cigareve, sipas tij, ka pasur rënie deri në 40%, ndërsa konsumi nuk është ulur.
“Qëllimi kryesor në 2011, kur u nënshkrua kontrata koncesionare, ishte ulja e informalitetit dhe tregtisë ilegale të cigareve. Pra nga qeveria e mëparshme u trumbetua me të madhe se ky koncesion do të ulte nivelin e shitjeve të duhanit në informalitet. Deri tani, në gati 10 vjet të funksionimit të këtij koncesioni, rezulton se lufta kundër konkurrencës të pandershme nuk është arritur në asnjë parametër. Importet nga viti 2010 dhe deri sot kanë rënë 30-40%, ndërkohë që asnjë studim nuk tregon se konsumi ka pasur rënie. Industria e mallrave të akcizës ka bërë një pagesë 10-fish më të lartë për këto mallra, pa arritur asnjë rezultat në përmbushjen e qëllimit të saj – luftën kundër produkteve ilegale.
Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë problemin e falsifikimit të pullave fiskale, pasi duhani shitet kudo, si i grirë në paketa të mbushura, me kg, si edhe në ‘duty free’. Që në gjenezë, ky koncesion nuk ka pasur qëllim të mbrojë biznesin, apo të luftojë ilegalitetin, dhe nga sipërmarrja, problemi është ngritur në vazhdimësi. Qëllimi i vetëm i miratimit të kësaj kontrate ishin për të marrë ca para më shumë qeveria apo klientë të saj.”
Eksperti Tushaj pohon se kjo është një kosto shtesë për sipërmarrësit, e cila e rëndon edhe konsumatorin. Edhe industria e duhanit kërkon që tarifa që duhet të paguajnë ata në përfundim të koncesionit të jetë jo më shumë se 3 dollarë, e njëjta sa vendet e Bashkimit Europian.
“Në Kosovë, pullat fiskale prodhohen nga një kompani në vendet baltike me çmimin 2,2 USD për 1 mijë copë. Pullat fiskale në Shqipëri prodhohen në vend me çmim 24,2 USD për 1 mijë copë. Biznesi shqiptar paguan më shumë se 10-fishin e çmimit që paguhet në Kosovë. Tarifa që paguhet në Shqipëri është më e shtrenjtë edhe se vendet e Bashkimit Europian, që është 3 USD për 1 mijë copë. Ofrimi i këtij shërbimi vetëm nga një kompani është monopol dhe është shteti ai që i detyron për vendosjen e çmimeve që në bërjen e kontratës.”
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se importi i cigareve në vitin 2019 ishte rreth 3,000 ton, ose 33% më i ulët se në 2010-n, periudhë kur raportohet dhe niveli më i lartë i tyre (4500 tona). Tkurrja ka vijuar dhe në 2020-n, duke arritur në rreth 2700 ton (40% më pak se në 2010-n), e ndikuar dhe nga situata e krijuar me pandeminë.
Përparim Tushaj për informalitetin
“Qëllimi kryesor në 2011, kur u nënshkrua kontrata koncesionare, ishte ulja e informalitetit dhe tregtisë ilegale të cigareve. Pra nga qeveria e mëparshme u trumbetua me të madhe se ky koncesion do të ulte nivelin e shitjeve të duhanit në informalitet. Deri tani, në gati 10 vjet të funksionimit të këtij koncesioni, rezulton se lufta kundër konkurrencës të pandershme nuk është arritur në asnjë parametër. Importet nga viti 2010 dhe deri sot kanë rënë 30-40%, ndërkohë që asnjë studim nuk tregon se konsumi ka pasur rënie. Industria e mallrave të akcizës ka bërë një pagesë 10-fish më të lartë për këto mallra, pa arritur asnjë rezultat në përmbushjen e qëllimit të saj – luftën kundër produkteve ilegale.
Çfarë kërkuan importuesit
Importuesit dhe prodhuesit e mallrave të akcizës janë shumë të qartë me kërkesën e tyre. Meqenëse afati i koncesionit përfundon së shpejti, ata kërkojnë që qeveria të mbajë parasysh kërkesat e tyre në procesin e ri të vendimmarrjes për ofrimin e shërbimit
Biznesi rekomandon që me përfundimin e koncesionit, qeveria të miratojë tarifa të njëjta me vendet e BE-së. Më herët, në letrën dërguar Kryeministrit Edi Rama, ata argumentonin nëpërmjet krahasimit të tarifave se kostoja e pullave fiskale në Shqipëri është më e shtrenjta në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore.
“Kjo është barra më e madhe parafiskale, e cila nuk sjell ndonjë të mirë shtesë në fushën e sigurisë dhe monitorimit të zinxhirit furnizues mbi ato të mira që shtetet e tjera janë në gjendje të marrin nga zgjidhje të ngjashme, por me një çmim shumë herë më të lirë të pullave dhe/ose zgjidhjeve totale, nëpërmjet sistemeve të gjurmimit nëpërmjet kodeve.
Aktualisht, në Shqipëri, kompanitë që tregtojnë produkte që kanë detyrimin për pulla fiskale paguajnë çmimet e mëposhtme për 1000 copë pulla, si: duhani 20 euro; alkooli 32 euro; birra 22 euro; barnat 14,43 euro.
Bazuar në kërkimet tona dhe vlerësimet e ekspertëve tanë fiskalë (të huaj e shqiptarë), në rajon dhe më gjerë, konfirmohet që në fakt Shqipëria aktualisht ka pullën më të shtrenjtë nga të gjitha shtetet të cilat ne i morëm në analizë, të cilat kanë një peshë të madhe në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Gjithashtu ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji me çmime shumë herë më të ulëta”, thuhej në letër.
Çmimi i lartë i pullave, pa impakt në buxhet
Për importuesit, çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë impakt në buxhetin e shtetit dhe për më tepër, nuk ka arritur të adresojë problemin e vërtetë të tregtisë së paligjshme me produkte të akcizës, e cila vazhdon të jetë problematike nga prodhues apo fermerë të paregjistruar vendorë.
“Mjafton një vizitë në tregje të hapura për të parë për shembull produktet e duhanit të grirë që shiten hapur me çmim 2-3 herë më lirë se sa detyrimi i akcizës për kilogramë. E pra kjo pullë nuk mund të shitet si zgjidhje për tregtinë e paligjshme, pasi nuk e ka fuqinë e as nuk i mbron prodhuesit dhe importuesit e ndershëm nga konkurrenca e pandershme e tregtisë së paligjshme, por gjithashtu nuk ia mundëson qeverisë një mbledhje më efektive të taksës së akcizës”, nënvizojnë ata.
Kostoja, më shumë e shtrenjtë te prodhuesit
Një tjetër çështje që e shqetëson biznesin është edhe procedura e dërgimit të pullave fiskale te prodhuesit e mallrave që u nënshtrohen regjimit të akcizës. Pavarësisht se për pullat fiskale, shoqëritë tona janë të detyruara të depozitojnë garancitë bankare përkatëse, sërish dërgimi i tyre te prodhuesit duhet të bëhet nga kompani transporti ndërkombëtare.
“Kjo gjë rrit më tej kostot tona, duke pasur parasysh se në mjaft raste, importuesit e birrave për shembull (por jo vetëm), dërgojnë tek prodhuesit transportuesit e tyre pothuajse çdo javë”, argumentohet në letrën dërguar qeverisë./MONITOR