Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot kërkesën e Partisë Republikane në lidhje me kundërshtimin e vendimit për ndalimin e grumbullimeve mbi 10 veta për fushatë zgjedhore, në kuadër të masave anti-covid.
Në kërkesën e saj PR e ka cilësuar këtë vendim të padrejtë dhe se shkaktonte pabarazi. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu deklaroi para mediave se ky është një vendim antikushtetues. Sipas tij, Rama tenton që të krijojë karantinë për opozitën.
“Veprimtaritë e Edi Ramës tentojnë që të krijojnë karantinë për opozitën. Në një kohë që i ka lejuar vetes dhe përmes vlerësimeve të komitetit, që parlamenti të mblidhet, qeveria apo dhe pushteti lokal të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën. Kjo është situatë e papranueshme, anti-ligjore. Nuk mund të ketë dy standarde për partitë politike apo dhe qytetarët. Nuk mund të trajtohet ndryshe kryeministri, apo qytetari. Të gjithë jemi njerëz përballë të njëjtin rrezik. Duket qartë se nuk kemi më as ligje, as qeveri, por një qeveri të korruptuar, që përpiqet që të thyejë rregullat. Jemi për të respektuar çdo rregull, por që imponohen në mënyrë të barabartë tek të gjithë”, -tha Mediu.