Opozitarët egjiptianë pas raportit të publikuar për Jamal Khashoggin i rikujtuan administratës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden regjimin në Egjipt në krye të të cilit ndodhet presidenti Abdel Fattah al-Sisi.
Në një deklaratë të nënshkruar nga 41 opozitarë egjiptianë thuhet se “Në mesin e krimeve që ka kryer regjimi në Egjipt, ndodhen vrasjet masive ku kanë rënë viktima mijëra egjiptianë pas puçit ushtarak në vitin 2013 ndaj qeverisë së zgjedhur të vendit të cilat janë dokumentuar nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Në deklaratën ku me shembullin e vrasjes së Khashoggit rikujtohet regjimi në Egjipt thuhet se “Pavarësisht se dihet që asnjë fajtor nuk duhet t‘i shpëtojë ndëshkimit dhe se çdo kriminel i cili përpiqet të vrasë një njeri të pafajshëm duhet të ndëshkohet me dënim proporcional të drejtë, ata që kanë nënshkruar deklaratën janë të habitur që SHBA-ja menjëherë ndërmori masa kundër atyre që ishin përgjegjës në regjimin saudit për vrasësit e Khashoggit. Ndërkohë që regjimi diktator që mbizotëron në Egjipt, ka kryer shumë krime që tejkalojnë në brutalitet dhe shëmti vrasjen e Khashoggit”.
“Në procesin e puçit ushtarak në Egjipt janë kryer vrasje, tortura, rrëmbime me forcë, ekzekutime të dënimeve me vdekje të dhëna në gjykatat ku nuk janë krijuar kushtet për një gjykim të drejtë”, theksohet në deklaratën në të cilën administratës amerikane i drejtohet pyetja: “A ka fuqi administrata demokratike amerikane nën presidencën e Joe Biden që të vendosë çdo gjë në vendin e duhur dhe t‘u përmbahet parimeve të drejtësisë dhe vlerave amerikane?”.
Në mesin e personave që nënshkruan deklaratën janë edhe Ahmed Hasan esh-Sharkavi, Amr Abdulhadi, Vecdi el-Arabi, Muhtar el-Ashri, Sumeyye el-Cenayni, Isra el-Hakim dhe Izzet Nimr.