Shpresa tek vaksinat: Rëndim i situatës së pandemisë në Shqipëri

0
This image has an empty alt attribute; its file name is 53955993_401.jpg

Në kohën kur Shqipëria shënon rritje të numrit të viktimave nga virusi, në Tiranë mbërritën 15. 210 vaksina të BioNTech&Pfizer. Autoritetet theksojnë, se situata është e rënduar, por nën kontroll.

Të hënën në orët e mbrëmjes, (01.03) në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në  Tiranë, mbërritën 15.210 vaksina BioNTech & Pfizer, kjo në vijim të marrëveshjes së drejtpërdrejtë prej 500.000 dozash mes Shqipërisë dhe kësaj kompanie. Deri tani nga kjo marrëveshje në Shqipëri kanë mbërritur 22. 230 doza vaksine anti-Covid.

Procesi i vaksinimit të popullsisë filloi në mes të janarit të kaluar me ekipet e mjekëve dhe infermierëve në spitalet anti-Covid, ato në shërbimet e urgjencës dhe po vijon sipas strategjisë së autoriteteve shëndetësore me segmentet e moshuara të popullsisë. Kryeministri Edi Rama, që priti në aeroport sasinë e sapombërritur të vaksinave, njoftoi ardhjen së shpejti të dërgesave të tjera. “Nga BioNTech%Pfizer mbërrijnë në Prill, 30 mijë doza të tjera . Kemi të konfirmuara ndërkohë 4 mijë dozat e para nga Covax për të mundësuar vaksinimin intensiv të popullsisë dhe thyer zinxhirin e infektimit”, u shpreh kryeministri Rama.

Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik bënë me dije për DW, se Shqipëria ka nënshkruar me COVAX, një marrëveshje për 1.114.000 ( një milionë e njëqind e katërmbëdhjetë mijë) doza vaksinash, të parapaguara me me një fond prej 3,9 milionë dollarë. Përtej marrëveshjeve direkte me BioNTech & Phiser dhe COVAX  Shqipëria ka arritur edhe marrëveshje dy palëshe me prodhues të tjerë të vaksinave anti-Covid -19, që kanë kaluar filtrin e rregullatorëve striktë si Food and Drug Administration,( FDA) dhe European Medicine Agency, (EMA)

Autoritetet shëndetësore: Situatë e rënduar, por nën kontroll

Mbërritja të hënën e 15. 210 vaksinave anti-Covid përkon në kohë me një rëndim të situatës së epidemisë në Shqipëri, të karakterizuar nga prekja e moshave të reja. Muaji shkurt u mbyll me një numër rekord infektimesh të reja dhe viktimash që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar. Gjatë shkurtit humbën jetën 423 persona duke e çuar numrin total të viktimave në 1. 816, shifër kjo e konsiderueshme për popullsinë prej 2.8 milion banorësh të Shqipërisë. Grafiku i rritjes së numrit të viktimave në 24 orë ka vazhduar edhe në ditën e parë të muajit mars, ku humbën jetën 20 persona të moshës nga 48-85 vjeç.

Sipas autoriteteve shëndetësore  56% e numrit total të infektimeve i përkasin moshës nën 50 vjeç, nga  të cilat 19 % grupmoshës 30 deri 39 vjeç. Mes viktimave në muajin shkurt ka patur edhe persona nën moshën 18 vjeç, vatrat e nxehta, të cilësuara “të kuqe”, janë zgjeruar duke përfshirë përveç Tiranës edhe Fierin, Durrësin, Vlorën, Shkodrën, Lezhën, Gjirokastrën, Elbasanin dhe Korçën. Sipas Institutit të Shëndetit Publik në të gjithë vendin ka raste pozitive. Në Shqipëri rezultojnë rreth 108 mijë raste pozitive, ndër të cilat rreth 36 mijë janë aktive.

Situata në spitalet anti-Covid në Tiranë dhe ato rajonale paraqitet e rënduar. Autoritetet shëndetësore pohojnë se ka një shtim të konsiderueshëm pacientësh  që kanë arritur mbi 660 vetë, ndër të cilët 43 janë në terapi intensive dhe 11 të intubuar.

Megjithë grafikun në rritje të rasteve të reja pozitive dhe të viktimave në 24 orë, autoritetet shëndetësore e konsiderojnë situatën nën kontroll. Një takim i paralajmëruar për të hënën, (1.03) i Komitetit Teknik të Ekspertëve  nuk u zhvillua. Sipas autoriteteve shëndetësore masat e deritanishme kufizuese kanë dhënë rezultate pozitive pasi të dhënat e sipër përmendura konsiderohen në kufijtë ekstremë të normës dhe situata është ende e përballueshme. Fillimi i pranverës jep shpresa për uljen e virulencës pasi moti pritet të ngrohet, arsyetojnë autoritetet.

Por shqetësimi për kohë të vështira mbetet i pranishëm. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë që nëse nuk arrihet imunizimi masiv i popullsisë deri në vjeshtën e këtij viti përmes intensifikimit të vaksinimit, masat kufizuese, që pritet të zbuten në muajt e pranverës dhe të verës do të rivendosen. Synimi është thyerja dhe rënia drastike e zinxhirit të infektimeve të reja për të krijuar kushtet që Shqipëria të jetë e hapur gjatë sezonit turistik verë 2021./DW/

Artikulli i mëparshëmPse miliona doza të vaksinës AstraZeneca, mbeten të papërdorura në vendet e BE-së?
Artikulli i radhësSa i papërshkueshëm është telefoni juaj nga uji?/ Përgjigjja mund t’iu befasojë