S’ka më dyshime/ Trump do të rikandidojë për president në vitin 2024

0
S’ka më dyshime/ Trump do të rikandidojë për president në vitin 2024

Nga Larry Bell “Newsmax”

Të gjithë oratorët e Konferencës së Veprimit Politik Konservator të mbajtur javën e kaluar, e njohur zakonisht si CPAC, i premtuan besnikëri ish-presidentit amerikan Donald J. Trump si kandidati i tyre i preferuar për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Dhe ata kishin shumë mbështetës midis shumë pjesëmarrësve entuziastë në konferencë. Sipas një sondazhi të The Washington Times CPAC Straw 2024, 95 për qind e tyre duan vazhdimin e politikave të Trump, 7 në 10 të anketuar duan që ai të garojë sërish për president, ndërsa nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani 55 për qind e republikanëve favorizojnë Trumpin si kandidatin e tyre.

Guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis ishte zgjedhja e dytë si kandidat për president, me 21 për qind të preferencave. Ndërkohë, pas tij renditej guvernatorja republikane e Dakotës së Jugut Kristi Noem, me 4 për qind. Nëse Trumpinnuk do të garonte, DeSantis ishte zgjedhja e parë me 43 për qind, e ndjekur nga Noemi me 11 për qind. Senatori i Teksasit, Ted Kruz ishte i saktë kur i tha audiencës të premten “Më lejoni që t’ju them diçka:Donald Trump do të jetë këtu me ne”.

Duke mbyllur punimet e CPAC të dielën, ish-presidenti Trump dërgoi mesazhin e fortë se ndërsa ai mund të jetë për momentin jashtë Zyrës Ovale, ai nuk ka në plan të rrijë duarkryq.

“Amerika nuk ka qenë kurrë në një udhëtim kaq të suksesshëm, që është larg nga të qenit i përfunduar. Le të mos ketë asnjë dyshim:Amerika do të jetë më e mirë dhe më e fortë se kurrë më parë”- theksoi ish-presidenti.

Më tej Trump tha se pasi “fitoi 2 herë zgjedhjet”, ai mund të “vendosë qët’i mundë ata për herë të tretë”.Sikurse edhe pritej, Trump u tregua shumë kritik ndaj administratës së re të Xho Bajdenit, duke e cilësuar muajin e saj të parë në detyrësi “edhe më keq sesa e kisha imagjinuar” … më katastrofikja në historinë e vendit. Ndër shumë shembuj ai përmendi edhe anulimin që Bajden i bëri ndërtimit të gazsjellësit Keystone XL që i kushtoi vendit 42.00 vende pune; dhe se shkatërroi pavarësinë energjitike që kishe arritur administrata e Trump; teksa premton zbatimin e një politikë katastrofike Green New Deal të mullinjve të erës.

Sipas Trump, kjo lëvizje do të shkaktojë kriza energjitike si ato që kanë ndodhur tashmë në Kaliforni dhe Teksas, do të dëmtojë mjedisin dhe do të zërë sipërfaqe të mëdha toke, të mbuluara me struktura të kushtueshme jofunksionale që do të mbeten në mëshirën e ndryshkut.
Ndërsa administrata Trump e kishte siguruar kufirin jugor të Amerikës me gati 900 km mur të përfunduar, Bajden e ka ndaluar projektin; duke vetë-krijuar një kërcënim serioz për sigurisë kombëtare. Presidenti aktual ka vendosur lirimin e kriminelëve të rrezikshëm, ndërsa ka inkurajuar shtetet të jenë më liberale ndaj emigracionit ilegal.

Trump i kujtoi SHBA-së se ishte “Operacioni Warp Speed” i administratës së tij, ai që solli zhvillimin e tre vaksinave të mrekullueshme dhenë një kohë rekord, (përfshirë aprovimin e ri nga FDA-së të vaksinës së Johnson & Johnson). Njëzet milion vaksina iu injektuan njerëzve para se Trump të linte detyrën, përfshirë atë që mori vetë Xho Bajden në fund të dhjetorit 2020, por që tani duket se e ka harruar. Ironikisht, ndërsa Bajden po hap kufirin ndaj emigrantëve, ai iu është bindur kërkesave të sindikatës së mësuesve për t’i mbajtur shkollat të mbyllura. Por Trump mendon se është thelbësore që fëmijët të rikthehen menjëherë në shkollë. Ai paralajmëroi se tirania socialiste e “anulimit të kulturës” po sulmon vlerat thelbësore dhe liritë e Amerikës.

Ish-presidenti tha se amerikanët duhet ti kundërvihen sulmeve nga monopolet e Big Tech kundër fjalës së lirë; të mbrojnë të drejtat e Amendamentit të Dytë që janë nën sulmin e demokratëve; dhe të mbështesin zbatimin e ligjit. Trump gjithashtu bëri të qartë se zërat që kishin qarkulluar se ai mund të planifikojë të krijojë dhe të drejtojë një parti të re ishin sërish “lajme të rreme”. Nga ndarja e Partisë Republikane, paralajmëroi ai, do të përfitonte vetëm Partia Demokratike. Ai deklaroi se do të ketë një rol thelbësor në mbështetjen e udhëheqësve “të fortë”republikanë në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, duke theksuar se mbështetja e tij për kandidatët ishte thelbësore në fitoret e republikanëve në zgjedhjet e vitit 2020, në të gjitha 26 vendet e fituara në Kongres, si dhe në ruajtjen e një Senati të balancuar 50 me50.

Trump nuk la asnjë dyshim mbi qëllimin e tij për të nxjerr jashtë loje ata anëtarë të partisë së tij që bashkuan votat me demokratët për ta shkarkuar atë pas trazirave të 6 janarit në Kapitol Hill. Këtu përfshihen 10 republikanë në Kongres dhe 7 në Senat, të cilët ai i përmendi me emra. Një kritikë të veçantë ai pati për një figurat më të njohura pro fajësimit, kongresmenen republikane të Uajoming, Liz Çeni. CPAC shërben zakonisht si aktiviteti kryesor, prej nga ku nis maratona e gjatë dhe e lodhshme e fushatës së zgjedhjeve të mesit të mandatit. Në përgatitje, komiteti i fushatës së vitit 2020 është shndërruar dhe riemërtuar “Bëjeni Amerikën Sërish të Madhe”. Sa i përket planeve të tij për vitin 2024, Trump e përfundoi fjalimin duke iu referuar një kohe kur “një president triumfues do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë”, duke mos lënë asnjë dyshim mbi synimin e tij për të rikandiduar.

Artikulli i mëparshëmRama mbledh në selinë e PS drejtuesit politikë në qarqe
Artikulli i radhësMerr flakë makina te ‘Komuna e Parisit’/ Digjen dhe 2 automjete të parkuara aty pranë