Në fjalimin e tij të parë madhor mbi politikën e jashtme, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë sprova “më e madhe gjeopolike” e shekullit.
Ai sidoqoftë e bëri të qartë se administrata e Presidentit Biden do të “menaxhojë” lidhjet me Kinën “nga pozita e fuqisë”.
“Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, sepse atje ku jemi tërhequr, Kina ka mbushur boshllëkun. Uashingtoni do të vazhdojë të konkurrojë, bashkëpunojë dhe nëse është e nevojshme do të jetë “kundërshtar” me Kinën, i vetmi vend me fuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike që mund të sfidojë seriozisht sistemin e qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar, të gjitha rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet që e bëjnë funksionimin e botës ashtu siç duam ne”, thotë Blinken.
Fjalimi i kryediplomatit Blinken shpaloi strategjinë e Presidentit Biden për të “ripërtërirë fuqinë e Amerikës” në arenën globale, me premtimin për të “udhëhequr me diplomaci”. Gjatë gjithë presidencës së tij, pararendësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump zhvilloi një luftë të ashpër tregtare me Pekinin, këmbëngulur në pretendimin se koronavirusi e kishte origjinën nga një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, dhe sfidoi kontrollin ushtarak të Pekinit në zonën e Detit të Kinës së Jugut ku kanë pretendime disa vende rajonale.