Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë në Rrëshen, ku 3 pjesëtarë të një familje kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Gazetari Elidon Ndreka tha për ‘BalkanWeb’ se betejën me COVID-19 e kanë humbur bashkëshortët Hamit e Dushe Cara, 75 dhe 72 vjeç si dhe djali i tyre i vetëm, Alban Cara, 49 vjeç. Në një prononcim për Ndrekën, një fqinj i tyre ka treguar ngjarjen në fjalë, ndërsa bëri me dije se gruas i kishte vdekur i vëllai si fillim dhe më pas djali e burri.
“Si fillim, Dushes i vdiq vëllai. Më pas i vdiq djali, burri dhe më pas vetë ajo. Djali ishte në spital në Rrëshen, ndërsa zonja vdiq tek ‘Shefqet Ndroqi’.”, pohon një prej fqinjve të familjes që humbi për pak ditë 3 familjarë.
Ndreka tha se spitali rajonal i Lezhës, deri në këto momente nuk është zyrtarizuar spital COVID, ndryshe nga disa qarqe të tjera. Ai tha se ka pasur një numër të lartë të personave të prekur nga COVID që kanë marrë trajtimin e parë. Sipas burimeve zyrtare nga spitali, të sëmurët që iu përkeqësohet gjendja, transportohen për në Tiranë, për mjekim më të specializuar.